Tomáš BELLA: Transformimi i mediave online – abonimi digjital si model i së ardhmes

16.05.2024. / 09:05
Share
Foto: Tomas Benedikovic
Foto: Tomas Benedikovic
Foto: Tomas Benedikovic

Denník N, e përditshme e pavarur sllovake, është bërë sinonim i suksesit në botën e mediave falë strategjisë së saj inovative: futjes së abonimeve digjitale. Kur një grup prej 40 gazetarësh themeluan Denník N në vitin 2014, ata u përballën me sfidën e falimentimit ose mbështetjen e lexuesit. Kjo dilemë bazë i dha formë të ardhmes së tyre. Futja e abonimeve u dëshmua të jetë hap kyç që ka mundësuar rritje të vazhdueshme, me një numër mbresëlënës prej 72.000 abonentësh aktualë. Me ndjekjen e kujdesshme të preferencave të audiencës, me storie e analiza të thella hulumtuese, Denník N ka vendosur standarde për qëndrueshmërinë dhe rritjen e gazetarisë digjitale.

Tomáš Bella, bashkëthemelues dhe web drejtor i Denník N, jep një pasqyrë të faktorëve kryesorë që kanë kontribuar në suksesin e mediumit të tij në ndërtimin e një baze të madhe abonentësh. Po ashtu, ai shpjegon se si ata identifikuan momentin e duhur për të futur abonime në edicionin online dhe se si ata arritën ta motivojnë audiencën për ta përqafuar këtë model. Bella gjithashtu shpreh mendimin e vet mbi rëndësinë e futjes së abonimeve për të fuqizuar gazetarinë e pavarur dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave, dhe ofron këshilla për mediat që planifikojnë të fusin abonime në edicionet e tyre online.

Cili faktor kyç kontriboi në suksesin e Denník N në ndërtimin e një baze të madhe abonentësh për edicionin digjital?

Kur një grup prej 40 gazetarësh themeluan Denník N në vitin 2014, ishte e qartë si për ne ashtu edhe për audiencën se kishte vetëm dy mundësi: ose lexuesit do të mbështesnin gazetarinë e pavarur me abonimet e tyre ose Denník N do të falimentonte brenda gjashtë muajve, sepse nuk mund të gjenim një model tjetër funksional biznesi për gazetarinë cilësore dhe të shtrenjtë që donim ta bënim. Pas futjes së abonimeve, kishte ndoshta dy faktorë që na ndihmuan të kemi rritje të vazhdueshme, nga 6.000 abonentët fillestarë deri në 72.000 abonentët aktivë aktualë. Së pari, ne ndjekim nga afër atë që ata duan të paguajnë dhe çfarë tekstesh i motivojnë lexuesit të bëhen abonentë. Këtë nuk do ta prisnit: ata nuk janë të interesuar për tema sensacionale ose klikime, por kryesisht duan që ne të bëjmë tema hulumtuese, intervista të gjata, analiza. Kur ne vërejmë suksesin e papritur të disa artikujve, përpiqemi të kuptojmë se çka u pëlqen lexuesve në lidhje me to dhe përmirësojmë dhe zgjerojmë raportimin tonë në fusha që tregojnë potencial për të tërhequr abonentë të ri. Së dyti, kemi bërë shumë përpjekje në zhvillimin e teknologjive tona të abonimit (të cilat tani janë të hapura dhe falas për t'u përdorur nga të gjithë botuesit e tjerë), duke përdorur frymëzimin nga tregtia elektronike dhe madje edhe industria e lojrave online, për të arritur efikasitet të lartë në "konvertimin" e vizitorëve në abonentë.

Si e identifikuat kohën e duhur për të futur abonimet në edicionin online dhe si arritët ta motivoni audiencën për ta pranuar këtë model?

Në Sllovaki, për herë të parë kemi eksperimentuar me përmbajtje me pagesë në vitin 2000, dhe këto eksperimente ishin mjaft të pasuksesshme. Si kryeredaktor, isha përgjegjës për mbylljen e një prej eksperimenteve më të mëdha, sepse nuk shihja të ardhme në përmbajtjen e paguar... Pastaj provuam sërish në vitin 2011, kur disa nga botuesit e mëdhenj sllovakë filluan të tarifonin për përmbajtje dhe ishte një sukses modest, dhe rritja e abonentëve ishte relativisht e ngadaltë. Në parim, gjithmonë duhet kohë që lexuesit të mësohen me idenë se nuk mund të jetë e gjithë përmbajtja falas. Industria softuerike ka kaluar nëpër të njëjtën fazë, industritë e muzikës dhe filmit janë dashur të bëjnë të njëjtin lloj pune, dhe industrisë botuese gjithashtu do t'i duhen disa vite në çdo vend. Por sa më parë që të filloni, aq më shpejt do të arrini rezultate – kjo vlen për çdo treg.

Cili do të ishte komenti juaj për konstatimin potencial: "Futja e abonimit për edicionin online është e pamundur ose do të jetë e pasuksesshme në këto hapësira" (varfëria, shprehitë e rrënjosura, mosbesimi)...

Njerëzit në mbarë botën kanë diçka të përbashkët – të gjithë konsiderojnë se vendi I TYRE është i veçantë, lexuesit e tyre janë "të ndryshëm" dhe modelet që funksionojnë tjetërkund nuk mund të aplikohen këtu. 15 vjet më parë, pata një takim në Zvicër ku botuesit vendorë pretendonin se lexuesit zvicranë nuk do të paguanin për përmbajtjen onilne, sepse kultura e tyre është e ndryshme nga ajo amerikane! Sigurisht, ka specifika lokale, por të ndihmon nëse e bën pyetjen pak më ndryshe. Mënyra e gabuar e trajtimit të problemit është të pyesësh: "A do të paguajnë njerëzit në BeH për lajmet online?" sepse shumica e tyre nuk do të paguajnë, por e njëjta gjë vlen si për BeH, ashtu dhe për SHBA-në e Sllovakinë. Pyetja më e mirë për të bërë është kjo: "A mundem (së pari) t'i bind 1% të lexuesve të mi më besnikë - ata që janë më të arsimuarit dhe bëjnë më shumë para - të paguajnë për diçka?" Përgjigjja për këtë pyetje është e njëjtë në çdo vend të botës: "Po, kjo nuk do të ndodhë automatikisht, do të duhen përpjekje dhe ndoshta disa vjet punë, por në fund, kjo mund të arrihet në çdo treg ku provohet seriozisht."

E çka do t'u thonit atyre, argumenti i të cilëve është se qasja në informata është e drejtë themelore e njeriut dhe se futja e abonimit mund ta kufizojë atë të drejtë?

Kjo është pyetje relevante. Nëse do të na duhej të zgjidhnim mes mediave që ishin falas ose të paguanin për përmbajtjen e tyre – sigurisht se do të zgjidhnim media falas në dispozicion të secilit. Fatkeqësisht, kjo është më shumë pyetje teorike: ne ose do t'i mësojmë lexuesit të paguajnë për lajme ose disa media thjesht do të pushojnë së ekzistuari. Më pak opsione, më pak gazetarë të punësuar dhe më pak zëra në hapësirën publike janë padyshim rezultat më i keq se ai në të cilin do të kemi një industri të larmishme dhe të pasur mediale, më shumë zgjedhje për audiencën, edhe nëse kjo do të thotë të paguash një tarifë abonimi, të themi, dy euro në muaj. 

A i ndiqni mediat në BeH, a mendoni se ka media që tashmë mund të fusin abonim (pa probleme)?

Nuk do të guxoj të jap rekomandime për botues konkretë, por në parim, sa më e shtrenjtë të jetë gazetaria jote, aq më shumë ke nevojë për përmbajtje me pagesë. Pra, botuesit që kanë kryesisht artikuj tabloidë që mund të shkruhen lirë, ku secili gazetar shkruan 10 artikuj në javë dhe ka shumë të ardhura nga reklamat, sot mund të mbijetojnë pa pagesë, dhe ndoshta edhe përgjithmonë. Sa më shumë që përpiqeni të prodhoni gazetari cilësore, e cila përfshin kosto më të lartë, aq më e rëndësishme është të shqyrtoni përmbajtjen me pagesë si burim të rëndësishëm të të ardhurave.

Foto: Tomas Benedikovic
Foto: Tomas Benedikovic

Çfarë avantazhesh dhe mundësish shihni me futjen e abonimeve në edicionet online në drejtim të fuqizimit të gazetarisë së pavarur dhe qëndrueshmërisë financiare të mediave?

Çdo medium varet nga dikush. Ndonjëherë nga pronari që duhet të "pompojë" vazhdimisht para në mediumin e vet, ndonjëherë nga qeveria, ndonjëherë nga reklamuesit. Të jesh i varur nga abonentët ka edhe të metat e veta, por është prapëseprapë varësia më e shëndetshme nga të gjitha. Nëse gazetarët bëjnë vetëm atë që lexuesit duan që të bëjnë gazetarët, rezultati për publikun do të jetë shumë më i mirë sesa kur botuesi duhet të marrë parasysh kërkesat e reklamuesve më të mëdhenj.

Cilat do të ishin këshillat tuaja të para për mediat online që planifikojnë të fusin abonim? Ku janë kurthet më të mëdha?

Dhjetëra shtete dhe qindra botues tashmë kanë vite përvojë me përmbajtje me pagesë. Ka shumë resurse, tekste, punime kërkimore dhe praktikat më të mira në dispozicion. Pra, tash fillimi është shumë më i lehtë se në vitin 2014 – thjesht vidhjuni idetë atyre që tashmë i kanë kaluar të njëjtat probleme para jush. Këshilla ime kryesore është që së pari ta kontaktoni një botues që ishte në të njëjtën situatë disa vjet më parë dhe të zbuloni nëse mund t'i shmangni gabimet që ata i kanë bërë. (Gjithmonë jemi të hapur t'i mirëpresim botuesit e BeH në zyrën tonë në Bratislavë!)

Sipas përvojës suaj, për çfarë lloj lajmesh janë lexuesit më të gatshëm të paguajnë?

Kjo është pyetje shumë e shpeshtë me përgjigje shumë interesante: varet nga botuesi. Kam parë lista artikujsh më të suksesshëm të shumë botuesve dhe lista është gjithmonë e ndryshme. Për disa janë komentet. Për të tjerë janë intervistat. Disa botues janë të suksesshëm me sportin, të tjerët nuk kanë fare sport, por lajmet lokale bëjnë bujë. Pra, gjithmonë ekziston një kombinim i pikave tuaja të forta si botues dhe nevojave të tregut. Detyra juaj është të shihni vazhdimisht se si ta përputhni këtë me nevojat e audiencës. Nëse keni një gazetar/e të njohur në mbarë vendin, ekziston shans i mirë që gjithçka që ai/ajo bën të jetë e suksesshme - por kjo nuk është e garantuar. Thjesht, duhet të provoni, të mësoni nga të dhënat, të provoni përsëri, e kështu me radhë, e kështu me radhë.

Cilat forma (tekst, multimedia, video, podcast...) kontribojnë më shumë në rritjen e numrit të abonentëve?

Gjithçka që iu përgjigja pyetjes së mëparshme vlen edhe për formatet... Denník N spikatet me tekstet e shkruara, ndërsa nuk arritëm të fitonim para nga podcastet e as nuk u përpoqëm të tarifonim për video përmbajtje. Por disa botues të tjerë fitojnë shumë para nga videot. Pra, në thelb: aty ku jeni më të mirë, ajo do të funksionojë për abonimet. Nëse, në krahasim me konkurrencën, jeni mesatar në gjithçka, atëherë asgjë nuk mund të funksionojë dhe strategjia juaj e përgjithshme e përmbajtjes duhet të ndryshojë.

A keni zbuluar përgjatë viteve ndonjë strategji inovative për të tërhequr abonentë e të cilën do ta ndanit me të tjerët?

Do ta përmend gabimin që e kemi bërë disa herë, të cilin pothuajse çdo botues tjetër e bën kur i lanson abonimet: çmimi që ata kërkojnë është shumë i ulët! Mos u mbështetni në instinkt, angazhoni ndonjë agjenci të hulumtimit të tregut nëse është e nevojshme - ka mundësi të gjeni çmimin ideal në mënyrë mjaft shkencore, por çmimi ideal është ndoshta dy ose tre herë më i lartë se çmimi me të cilin dëshironi të filloni. Blerësi tipik do të jetë, të paktën gjatë viteve të para, personi që fiton shumë më tepër se paga mesatare në BeH, dhe për të do të jetë e parëndësishme nëse paguan dy, pesë a shtatë euro - ai mund të jetë edhe më i lumtur nëse paguan shtatë në vend të një euroje, por kjo do të bëjë ndryshim të madh në të ardhurat tuaja.

Si e shihni rolin e shtetit dhe autoriteteve rregullatore (ndoshta kufizimet) në mbështetjen e mediave që duan të fusin abonim online, sidomos brenda kornizave të tilla si tonat?

Si person nga një vend që dikur i përkiste bllokut sovjetik, jam i prirur për skepticizëm të madh ndaj çdo lloj "mbështetjeje" shtetërore - shumica prej nesh kryesisht duam që qeveria të na lërë rehat - edhe pse për momentin qeveria jonë është haptazi armiqësore ndaj nesh dhe i ngacmon aktivisht gazetarët tanë - dhe ne nuk do të pranonim asnjë mbështetje të drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, në vende të tjera si Danimarka ose Franca, mbështetja qeveritare funksionon mjaft mirë - shpesh abonimet përdoren si mjet për të matur arritjen dhe suksesin aktual - dhe botuesit marrin mbështetje qeveritare bazuar në numrin e abonentëve që ata tashmë kanë arritur të tërheqin.

Disa segmente të industrisë mediale, sidomos mediat lokale, janë në situatë aq të keqe sa mbështetja e shtetit shpesh është më pak e keqe në krahasim me falimentimin (mbylljen) e mundshme të burimeve të rëndësishme të informatave. Por, është me rëndësi të mos harrojmë se mbështetja shtetërore mund të ketë pasoja negative. Megjithatë, ka mënyra në të cilat shteti mund ta mbështesë industrinë mediale konstruktivisht, siç është mbështetja për fondacione të pavarura të cilat japin grante, financimi i çmimeve për gazetari, mbulimi i shpenzimeve të disa zgjidhjeve teknologjike, e kështu me radhë.

Vlerësoni cilësinë e artikullit