Women* Write the Balkans është platofmë që rishtazi ka parë dritën e ditës. Redaktorët Lea Horvat dhe Ana Sekulic lansuan platformën si një hapësirë e veçantë për rrëfimet nga dhe rreth Ballkanit nga autorë/e që identifikohen si gra, trans dhe/ose persona jobinarë. Platforma i kushtohet eksplorimit të realitetit shumështresor të rajonit dhe shfaq të shkruarit që ndërthur përvojën, ekspertizën dhe rrëfimtarinë. Platforma përmban artikuj të shkurtër dhe të gjatë, nga fragmente dhe mbetje arkivore, te mikro kujtimet dhe esetë personale dhe vizuale.
Rëndësia e platformave të këtilla për shprehje dhe kërkime që shkojnë përtej gazetarisë mainstream do të thotë t'u jepet hapësirë zërave që shpesh mbeten në prapavijë. Të shkruash për Ballkanin do të thotë të shkruash edhe për natyrën shumështresore të ngjarjeve të ndryshme historike dhe të njerëzve që jetojnë në këto hapësira.
Më poshtë po ju sjellim një intervistë me Leën dhe Anën, të cilat na kanë treguar më shumë për platformën.
Balkansmedia: A mund të prezentoheni dhe të na tregoni më shumë për idenë e krijimit të platformës Women* Write the Balkans?
Ne jemi dy historiane dhe autore që jetojmë në dy kontinente të ndryshme dhe trajtojmë periudha të ndryshme historike. Jemi takuar në Twitter dhe ideja për platformën Women* Write the Balkans lindi spontanisht, nga pakënaqësia me klishetë për Ballkanin që hasim si në tekstet akademike ashtu edhe në media. Në vend se të fokusoheshim duke kritikuar ekzistuesen, vendosëm të imagjinonim se si mund të dukej hapësira narrative e zgjedhjes sonë. Me muaj të tërë kemi folur për dizajnin, logon, vizionin dhe autorët që duam të ftojmë. Ëndrra është e nevojshme dhe fantastike, por të shohësh sesi platforma merr jetë dhe vizitohet në fillim të këtij viti është përvojë e veçantë.
Balkansmedia: Krijimi i një hapësire që do të jetë e hapur dhe e qasshme për gratë, personat trans dhe jobinarë, për të shprehur pikëpamjet dhe opinionet e tyre shpesh bëhet e ndarë, pra rikrijohet. Sa e kufizuar është hapësira në mediat mainstream për këtë lloj qasjeje ndaj përmbajtjes?
Gratë, e aq më tepër personat trans dhe jobinarë, shfaqen në media si temë e debatit publik, kur flitet për ta dhe jo me ta, apo brenda narrativave aktiviste për të drejtat e njeriut. Ne besojmë se aktivizmi në kuptimin më të ngushtë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, por ne e shohim rolin tonë në krijimin e një hapësire ku nuk duhet të merremi me rregulla të pashkruara, logjikën e mediave mainstream dhe fitimprurjen.
Balkansmedia: Cili është qëllimi i platformës Women* Write the Balkans?
Duam të krijojmë një hapësirë për tregime të shtresuara që mezi presim t'i lexojmë, që do t'i nxisin lexuesit, t'i bëjnë ata të mendojnë dhe ndoshta edhe t'i inkurajojnë ata të ndajnë storiet e tyre me ne. Duam të punojmë me të gjithë ata që e duan Ballkanin dhe tregimet e rrëfyera mirë.
Balkansmedia: Siç mund të lexojmë në përshkrimin e platformës suaj, ajo do të ofrojë mundësinë e krijimit të rrëfimeve përmes rrëfimtarisë, të cilat do të përfshijnë forma të shkurtra dhe të gjata të veprave, si dhe fragmente veprash arkivore, kujtime dhe vizualizim. Sa i dobishëm dhe i rëndësishëm është përdorimi i formave të ndryshme për shpalosjen e këtyre temave?
Format që dominojnë në komunitetin akademik lënë pak hapësirë për kreativitet sepse shpesh është më e rëndësishme që ato të plotësojnë disa norma të përcaktuara me përpikëri. Ne konsiderojmë se kjo është dëm i madh dhe besojmë në potencialin e shprehjes kreative që ua shton vlerën rrëfimeve që ne i konsiderojmë thelbësore. Në këtë aspekt, ne u japim autorëve/eve tanë liri të plotë në zgjedhjen e formatit dhe i nxisim të provojnë diçka që u pëlqen atyre edhe (ose veçanërisht) nëse nuk kanë përvojë me mediumin dhe formën që u pëlqen.
Balkansmedia: Twitteri dhe Instagrami janë dy rrjete sociale që i keni nisur paralelisht me faqen tuaj. Sa e rëndësishme është sot të jesh i pranishëm në rrjetet sociale dhe si do t'i përdorni këto rrjete sociale për të shpalosur përmbajtjen te publiku?
Shumica e vizitorëve tanë në faqe vijnë përmes Twitterit, ku ne po mbledhim ngadalë një komunitet të angazhuar që është i interesuar për temat dhe qasjen tonë. Edhe ne jemi takuar dhe jemi njohur me njëra-tjetrën në Twitter dhe besojmë në potencialin e këtij rrjeti social për shoqërim dhe solidaritet. Nuk na pëlqen rrjetëzimi klasik akademik, por kemi nevojë për një komunitet që edhe në këtë mënyrë po e kërkojmë dhe po e bashkëformojmë.
Balkansmedia: Balkansmedia.org është platformë që shkruan për gazetarinë, inovacionin, këshillat, burimet dhe veglat që mund të jenë të dobishme për mediat. A keni ndonjë udhëzim apo këshillë sesi mediat duhet t'i japin më shumë hapësirë kësaj qasjeje ndaj temave, por edhe njerëzve që do të raportojnë nga këndvështrime të ndryshme?
Shumë tekste që merren me Ballkanin përdorin shabllonë dhe stereotipe të fosilizuara. Po e shohim se situata e tillë është shkaktuar pjesërisht nga presionet e jashtme dhe pritshmëritë redaktoriale, por besojmë se kjo situatë mund dhe duhet të kapërcehet. Rëndësi të veçantë për ne ka përgjegjësia, trajtimi kritik i narrativave për Ballkanin dhe forca narrative dhe poetike që mund të jetë kundërpeshë qenësore ndaj tyre.
***
Dhe për fund, i ftojnë autoret dhe autorët t'i testojnë kufijtë e të shkruarit për rajonin dhe presin me padurim rrëfime bindëse nga shkrimtarë me përvojë, autore/ë që shkruajnë për herë të parë dhe të gjithë të tjerët mes tyre.