Ana Anastasovska: Te ne ende dominon parimi patriarkal se punët e shtëpisë janë obligim i grave

13.03.2021. / 09:26

E dijmë se krizat mund të nxisin mënyra të reja të sjelljes duke sjellë nganjëherë ndryshime të normave gjinore dhe duke mbështetur ndryshimet afatgjata karshi barazisë gjinore. Por me shfaqjen e pandemisë shumë pabarazi gjinore u forcuan dhe kjo kohë ka treguar se sa beteja të tjera duhen fituar për të arritur barazinë mes burrave dhe grave.

Mbështetja individuale dhe qasja e krijimit të hapësirës së mundësive të pabarabrta janë dëshmuar si veprime të vetme të cilat funksionojnë gjatë kësaj kohe të vështirë. Gratë, por edhe burrat, merrnin ndihmë nga rrethet e tyre të ngushta pa mbështetje institucionale apo mbështetje e cila do të duhej të vinte nga punëdhënësit e tyre. Kështu, shumë gazetarë/e u gjetën në situatën e punës nga shtëpia pa mbështetje sistemore – të detyruar të bartin vetë barrën e të gjitha sfidave me të cilat u përballën, duke pritur funksionalitetin e plotë dhe produktivitetin e punës.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kemi biseduar me gazetaren Ana Anastasovska, redaktoren e "Sloboden Pečat" nga Maqedonia e Veriut. Na interesonte të dinim se si e kishte përjetuar ajo vitin e shkuar dhe sa e vështirë ishte të harmonizohen të gjitha obligimet.

Puna nga shtëpia është e rëndë sepse e gjitha barra bie mbi gruan.

Balkansmedia: Çështja e pozitës së pabarabartë të grave dhe burrave në gazetari ka ekzistuar edhe para pandemisë. Sot, një vit pas fillimit të pandemisë, duket se kjo pozitë u përkeqësua. Si e keni përjetuar ju, si gazetare, vitin që e lamë pas?

Ana Anastasovska: Shpallja e pandemisë në Maqedoni dhe në mbarë botën ishte tronditje e vërtetë për secilin prej nesh. U përballëm me situatën të cilën as që e kishim ëndërruar. Në fillim problemi ishte si të punohet, që shëndeti i të punësuarve të mos rrezikohej. Qeveria nxori një udhëzim sipas të cilit prindërit e fëmijëve deri në 10 vjeç liroheshin nga obligimet e shkuarjes në punë. Këtë masë, kuptohet, e përdorëm të gjithë ne të punësuarit që kishim fëmijë të vegjël por kjo nuk mund të zgjaste përgjithmonë. Më pas, menaxhmenti në marrëveshje me ne, të punësuarit, mori vendim që krejt redaksia, si portali ashtu edhe gazeta, të barten në shtëpi dhe të punojmë nga shtëpia. Duke marrë parasysh se puna nga shtëpia kërkon punë në terren, kontakte dhe biseda me njerëz, pandemia gjithsesi ka ndikuar në procesin e përgjithshëm prodhues dhe cilësinë e lajmeve.

Balkansmedia: E dijmë se jetojmë në një sistem patriarkal vlerash, ku gratë shpesh vihen në pozitë të pafavorshme dhe mbajnë barrë të madhe. Ato kujdesen për shtëpinë, për familjen por edhe për punën. Sa ishte e vështirë për ju gjatë vitit të shkuar t'i harmonizoni të gjitha këto obligime, sidomos nëse ishit e detyruar të punonit nga shtëpia?

Ana Anastasovska: Puna nga shtëpia definitivisht është shumë e vështirë kur kemi parasysh se, siç thatë, krejt barra bie mbi gruan. Fëmijët mbetën në shtëpi për të vijuar mësimin online. Edhe ata u mbyllën sikur ne, rrinin para kompjuterëve duke mos ditur ç'të bënin. I kam dy fëmijë që ndjekin mësimin online dhe të cilët çdo 10 minuta të pyesin diçka, të kërkojnë diçka, e në anën tjetër duhet të gatuash, t'i çosh në trajnim, ti duhet të koncentrohesh, të shkruash e të lexosh tekste. Dhe kjo nganjëherë vërtet më çmend. Por përpiqem të ruaj qetësinë dhe të gjitha punët t'i kryej me kohë. Bashkëshorti më ndihmon sa mundet dhe kur është në shtëpi, por puna e tij është e tillë që tërë ditën është në rrugë.

Ngadalë por sigurtë po shkojmë drejt thyerjes së paragjykimeve

Balkansmedia: Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta dhe nëse mendoni se është i ulët – pse ndodh kjo?

Ana Anastasovska: Kolegët me të cilët punoj gjithsesi janë të vetëdijshëm për krejt barrën të cilën bartin gratë në një situatë të këtillë sepse një pjesë e madhe e tyre e luan rolin e gruas në shtëpi.  Kanë mbetur të punojnë nga shtëpia, bashkëshortet e tyre shkojnë në punë, dhe barra e punëve të shtëpisë dhe fëmijëve u ka rënë edhe atyre. Edhe ata gatuajnë, u ndihmojnë fëmijëve me mësimin online, dhe ne pajtohemi dhe kuptohemi mrekullisht. Dhe gjithsesi mbulohemi dhe mbështetemi.

Balkansmedia: Si e shihni faktin se zakonisht gazetaret raportojnë për pozitën e pabarabartë të grave, gjegjësisht se gazetarët nuk duan të merren me temat e pabarëzisë gjinore?

Ana Anastasovska:

Fakti që gazetarët nuk duan të raportojnë për pozitën e pabarabartë të grave vjen nga mendësia e popujve në Ballkan. Te ne ende dominon parimi patriarkal se punët e shtëpisë janë obligim i grave dhe se për këtë temë nuk ka ç'të flitet. Gjithsesi, nuk mendojnë kështu të gjithë meshkujt. Nevojitet kohë që kjo mendësi të çrrënjoset dhe mendoj se ngadalë por sigurtë po shkojmë në atë drejtim. Shumë të rinj sot nuk i shikojnë ashtu gjërat dhe konsideroj se me kohë do të ndërrojë perceptimi i rolit të burrave dhe grave në shoqëri. "Sloboden pečat" si medium përpiqet të mbulojë tema të këtilla sa më shumë, ndërsa me qëllim të spikatjes së bukurisë së grave nga të gjitha aspektet, dhe nuk mendoj vetëm për bukurinë e jashtme, në kuadër të mediumit tonë për më shumë se një vit del shtojca "Ženski pečat" e cila u dedikohet ekskluzivisht grave.

Ocijenite kvalitet članka