Damira Kalač: Më shumë më brengos pabarëzia në raport me njohuritë dhe aftësitë – si të publikut ashtu edhe të redaksive

09.03.2021. / 08:56
Share
Novinarka Vijesti.me i blogerka - Damira Kalač
Novinarka Vijesti.me i blogerka - Damira Kalač
Novinarka Vijesti.me i blogerka - Damira Kalač

Hulumtimi i cili u realizua me respondentë/e në SHBA, Gjermani dhe Singapur lidhur me ndikimin e pandemisë te pabarëzia gjinore në tregun e punës dhe qëndrimet karshi roleve gjinore tregojnë se është papunësia e rritur, zvogëlimi i orarit të punës dhe kalimi te puna nga shtëpia gjatë vitit të shkuar kanë qenë më të shprehur te gratë se te burrat.

Në këtë hulumtim gjithashtu thuhet se pasojat afatgjata të pandemisë do të varen nga ajo se si burrat dhe gratë do t'i përjetojnë rolet gjinore dhe ndryshimet e mëtejme në raportet e tyre të punës ndërsa ekonomitë rimëkëmben.

Rolet e imponuara gjinore ua bëjnë më të vështirë grave të dalin nga prangat e tyre dhe të jenë punëtore të barabarta si dhe të zgjedhin vetë rolet që do t'i marrin dhe t'i jetojnë.

Pabarazia gjinore, për fat të keq, u përkeqësua në krejt botën, por gjithmonë ekzistojnë shembuj pozitivë grash të guximshme të cilat arrijnë të balancojnë rolet e tyre, si dhe të jetësojnë ato zgjedhje të cilat i përmbushin dhe i bëjnë të lumtura.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas duke dashur të dëgjojmë përvoja të ndryshme "nga dora e parë", kemi biseduar me gazetare nga rajoni për përjetimet personale gjatë vitit të shkuar dhe për atë se sa e vështirë është të harmonizohen të gjitha sferat e jetës. 

Gazetarja shumëvjeçare e Vijesti.me dhe blogerja Damira Kalač na ka folur për perceptimin e saj dhe ekzistencën e pabarëzisë gjinore, sidomos në mjedisin afarist, dhe se si e sheh ajo faktin se gratë janë ato që më shpesh në media shtjellojnë temat që lidhen me pabarëzinë, diskriminimin dhe grupet minoritare.

Shtjellimi i temave të njohura nga një kënd tjetër

Balkansmedia: Çështja e pozitës së pabarabartë të grave dhe burrave në gazetari ka ekzistuar edhe para pandemisë. Sot, një vit pas fillimit të pandemisë, duket se kjo pozitë u përkeqësua. Si e keni përjetuar ju, si gazetare, vitin që e lamë pas?

Damira Kalač: Viti i shkuar ishte mjaft dinamik. Epidemia, përveç temave të rregullta dhe tashmë të njohura, hapi edhe shumë tema të reja dhe imponoi qasje më ndryshe në jetën e përditshme, përfshirë punën – në kuptimin që tani i shikojmë këto tema të njohura nga një kënd tjetër, një kënd krejt i ri. Në Mal të Zi, përveç kësaj, gjatë epidemisë u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare. Në tërësi, përsa i përket dinamikës së punës, sinqerisht, mua më përshtatet, sepse në gazetari gjithmonë përpiqem për diçka të re. Andaj shkruaj blog, së shpejti do të "kërcej" në realizimin e podcastëve. Në këtë rrugë, gjatë krejt këtyre viteve në gazetari, nuk e kam ndjesinë e pabarazisë në raport me kolegët. Më shumë më brengos pabarëzia në raport me njohuritë dhe aftësitë – si të publikut ashtu edhe të redaksive. Njerëzit më shumë do të shpërndajnë ndonjë lajm të rremë se ndonjë storie hulumtuese apo përmbajtje të gjatë për të cilën ju keni investuar kohë dhe njohuri. Redaksitë sot gjithashtu anojnë nga shpejtësia, prapa së cilës nganjëherë nuk ka kontekst, sepse nuk keni kohë për diçka të tillë. Por, kjo është problematike si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Rëndësia e fokusit të punëdhënësit te nevojat e punëtorëve

Balkansmedia: E dijmë se jetojmë në një sistem patriarkal vlerash, ku gratë shpesh vihen në pozitë të pafavorshme dhe mbajnë barrë të madhe. Ato kujdesen për shtëpinë, për familjen por edhe për punën. Sa ishte e vështirë për ju gjatë vitit të shkuar t'i harmonizoni të gjitha këto obligime, sidomos nëse ishit e detyruar të punonit nga shtëpia?

Damira Kalač: Përsëri, mbase nuk jam e njëjtë më shumicën. Jetoj me partnerin, pa fëmijë, me tre qenë. Të dytë bëjmë punët që nuk kanë orar pune, dhe kjo i përshtatet temparamentit tim, kur më vjen për të shkruar natën – shkruaj natën, dhe në mënyra të tjera i mbuloj obligimet e punës.  Përparësia e punës nga shtëpia, kur jeni gazetar i mediave të shkruara, është se mund të përgatis drekën ndërsa mendoj për bashkëbiseduesit, këndin e mundshëm të ndonjë storieje. Është me rëndësi të kesh edhe mbështetjen e familjarëve në këtë drejtim, e kjo vlen gjithmonë – që të gjitha obligimet të ndahen dhe se shtëpia nuk është e njërit prej nesh por e secilit anëtar të familjes.

Në raport me punën, dhe kjo është ajo që do t'u kisha sugjeruar punëdhënësve, është që në çdo situatë të mendojnë për nevojat e punëtorëve, t'u vihen në dispozicion, t'i dëgjojnë. Unë, ta zëmë, para disa vitesh pata kaluar nëpër procedura të fertilizmit (in vitro), nuk mund të krenohem me mbështetjen e përgjithshme, rastet janë individuale.

Mbështetja është sidomos e rëndësishme në situata krize, siç është epidemia e koronavirusit, në këto raste punëdhënësi do të duhej të mendonte më shumë për nevojat e punëtorëve, sidomos për shëndetin mendor, çfarë mbështetje i duhet secilit që të jetë në gjendje të kryejë detyrat e punës. Nëse bëhet fjalë për prindin vetëushqyes, nëse i ka fëmijët në shkollë të cilët gjatë pandemisë mësimin e mbanin kryesisht online...

Në rastin tim, ne zakonisht jemi të organizuar në mikro nivel, çdo redaksi brenda atij sistemi më të madh ka marrëveshje të veta, dhe përshtatemi me njëri-tjetrin sa mundemi.Kishte situata, ndonjë anëtar u familjes së dikujt doli pozitiv, dikush nga kolegët doli pozitiv, dikush u fut në izolim, kishte fatkeqësisht edhe raste të vdekjes... Por, me marrëveshjet e brendshme u tejkalua gjithçka.

Grave u është imponuar roli i nënës, amvises, dhe për çdo rol tjetër ato duhet të luftojnë.

Balkansmedia: Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta dhe nëse mendoni se është i ulët – pse ndodh kjo?

Si e shihni faktin se zakonisht gazetaret raportojnë për pozitën e pabarabartë të grave, gjegjësisht se gazetarët nuk duan të merren me temat e pabarëzisë gjinore?

Damira Kalač: Se sa ekziston vetëdija për pozitën e cilitdo pjesëtar të shoqërisë besoj se është çështje e individit në përgjithësi se sa "e ndien" atë pozitë, por jo deklarativisht por sinqerisht.

Dhe këtu e shoh përgjegjen e pyetjes së dytë – si bën që gratë janë kryesisht ato që raportojnë për rolin e pabarabartë të grave. Mbase sepse natyrshëm i ndiejnë më mirë gratë dhe rolet gjinore në përgjithësi të cilat i "vizaton" patriarkati.

Nuk jam e sigurtë se sa mund të raportojë secili prej nesh për temat e ngjashme, ta zëmë për pozitën e personave LGBTIQ, personave me invaliditet, pakicave... nëse nuk e kemi ndier disi atë pozitë.  Kur flasim për raportimin, nuk mendoj për situatat kur si gazetar mbuloni një ngjarje dhe thjesht shkruani raportin nga ajo ngjarje. Me raportim e kam fjalën për atë lloj qasjeje kur si autorë analizojmë ekzistencën e gjendjes, shtjellojmë, hapim pyetje...

Dhe për të raportuar në atë mënyrë, nuk po them se duhet ta ndiejmë ndonjë rol nën lëkurën tonë. Por, nëse nuk kemi biseduar, nëse nuk kemi dëgjuar dhe kaluar kohë me ata njerëz, nëse nuk kemi hulumtuar për një kohë, nëse nuk kemi dëgjuar sinqerisht për të kuptuar – nuk e di se si mund të raportojmë e që kjo të nënkutojë edhe të kuptuarit e pozitës të cilën e problematizojmë.

Dhe këtu shoh arsyet që gruaja mund të shohë më mirë pozitën e gruas, shpesh edhe pozitën e grupeve të tjera të cënuara, ngase në një shoqëri patriarkale siç janë shoqëritë edhe në Mal të Zi, BeH dhe rajon në përgjithësi, gruaja është ajo së cilës i është imponuar roli i amvises, nënës, roli nga i cili duhet të luftojë për çdo rol tjetër.

Ocijenite kvalitet članka