Dragana Erjavec: Të gjitha i bëjmë nga kompjuterët e shtëpisë të cilët shpesh janë të ngadalshëm dhe nuk janë adekuatë për punën që e bëjmë

10.03.2021. / 08:34

Çështja e ndryshimeve të cilat i solli pandemia sigurisht se është nga më të rëndësishmet për të kuptuar sot shëndetin mendor e fizik. Pandemia solli shumë ndryshime në funksionimin e krejt shoqërisë, ndërsa sferat afariste ishin detyruar të ndryshojnë kahjen e veprimtarive të tyre. Për fat të keq, as gazetaria nuk bëri përjashtim. Shumë redaksi bartën punën e tyre nëpër shtëpitë e gazetarëve/eve të tyre, ndërsa punëtorët u gjendën përpara shumë sfidave të cilat duheshin përshtatur dhe tejkaluar.

Dragana Erjavec është gazetare shumëvjeçare me përvojë të bujshme pune në shumë redaksi. Me punën e saj, ajo përpiqej të raportonte për tema sa më të ndryshme – shpesh duke u përballur me ata të cilët bartin temën e pabarazisë, diskriminimit, paragjykimeve dhe keqkuptimeve.

Me të kemi biseduar lidhur me përjetimin e saj të vitit të shkuar, si dhe sa ka qenë e vështirë të harmonizohen të gjitha sferat e jetës. Gjatë bisedës kemi dashur të dijmë nëse ajo sheh pabarazi mes burrave dhe grave, sidomos në mjediset afariste, dhe çka mendon për faktin se gratë janë ato që rëndom në media shtjellojnë temat që lidhen me pabarazinë, diskriminimin dhe grupet minoritare.

Kemi mësuar se si të incizojmë radio emisione në dollap

Balkansmedia: Çështja e pozitës së pabarabartë të grave dhe burrave në gazetari ka ekzistuar edhe para pandemisë. Sot, një vit pas fillimit të pandemisë, duket se kjo pozitë u përkeqësua. Si e keni përjetuar ju, si gazetare, vitin që e lamë pas?

Dragana Erjavec: Definitivisht, viti i shkuar në aspektin e punës por edhe jetës ishte unik dhe krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim. Ritmi dhe mënyra e punës kanë ndryshuar rrënjësisht, së paku në redaksinë ku unë punoj sepse deri më sot nuk jemi kthyer në redaksi dhe gjithçka që bëjmë e bëjmë kryesisht nga shtëpia. Meqë punoj në një medium elektronik, për mua ka qenë më i vështirë fakti se konsideroj se punët e shtëpisë nuk janë zgjidhja më e mirë, fillimi i pandemisë ishte vërtet periudha më e vështirë në të cilën jemi përshtatur me rrethanat e reja. Kemi mësuar se si të incizojmë radio emisione në dollap, që zëri të jetë së paku i pranueshëm, si të xhirojmë njoftime televizive në dhomën e ditës. Kur flasim për kushtet e punës, mua më së shumti më pengon se i bëjmë të gjitha me kompjuterë të shtëpisë të cilët shpesh janë të ngadalshëm dhe nuk janë adekuatë për punën që e bëjmë, përdorim telefona privatë dhe mendoj se ky është segmenti i cili i rëndon më së shumti kolegët në kohën e pandemisë.

Nuk ka orar pune

Balkansmedia: E dijmë se jetojmë në një sistem patriarkal vlerash, ku gratë shpesh vihen në pozitë të pafavorshme dhe mbajnë barrë të madhe. Ato kujdesen për shtëpinë, për familjen por edhe për punën. Sa ishte e vështirë për ju gjatë vitit të shkuar t'i harmonizoni të gjitha këto obligime, sidomos nëse ishit e detyruar të punonit nga shtëpia?

Dragana Erjavec: Punojmë nga shtëpia që nga dita e parë e pandemisë. Nga njëra anë unë nuk kam familje por kam dy qenë dhe një mace të cilët gjithashtu marrin pjesë në punën e përditshme. Është e vështirë t'i thuash qenit të mos lehë kur ju keni takim, apo kur incizoni deklaratën me telefon, t'i thuash komshiut të mos hapë vrima në mur derisa incizoni ditarin. Mua sinqerisht më ka ardhur në maje të hundës puna nga shtëpia dhe nganjëherë më duket aq e vështirë saqë gjithmonë pyes veten se si njerëzit që kanë fëmijë dhe obligime shtëpiake ia dalin me krejt këto. Ajo që më pengon më së shumti është se në parim orar pune nuk ka, dhe kjo nënkupton se je vazhdimisht në shtëpi dhe ai momenti i "oazës shtëpiake të paqes" definitisht ka humbur.

 

Duhen motivuar kolegët të merren me storie mbi pabarazinë

Balkansmedia: Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta dhe nëse mendoni se është i ulët – pse ndodh kjo?

Dragana Erjavec: Nuk mund të them se në redaksinë ku punoj kam ndier pabarazinë në çfarëdo aspekti, përveç faktit se pritet që të bëjmë punë absolutisht të njëjta – e këtë nuk e konsideroj problem. Në anën tjetër, punoj në një redaksi ku ka më shumë gra se burra.

Balkansmedia: Si e shihni faktin se zakonisht gazetaret raportojnë për pozitën e pabarabartë të grave, gjegjësisht se gazetarët nuk duan të merren me temat e pabarëzisë gjinore?

Dragana Erjavec: Mendoj se për këtë fakt fajtorë jemi ne, gjegjësisht redaktorët që merren me ato tema. Ekziston mendimi se meshkujt nuk kanë mjaftueshëm dhembshuri e sipas meje kjo është krejt e gabuar dhe storiet e tilla vërtet rëndom i bëjnë gazetaret. As nuk mendoj se është rregull që gratë të cilat kanë përjetuar dhunë u hapen më lehtë grave sesa burrave, edhe pse gjithsesi ekziston mbase edhe ky mendim. Gazetarët, kolegët, vetëm si pasojë e rezistencës më të vogël kanë pranuar këtë model e që definitivisht nuk është rasti me kolegët në Evropë. Ajo që mendoj se duhet bërë është të motivohen kolegët tanë te merren me këto storie dhe të mos i kategorizojnë ata si persona joempatikë.

Ocijenite kvalitet članka