Marina Kostova: Shumica e gazetarëve/eve punojnë në prekariat, nuk u mbrohen të drejtat ndërsa të hyrat i kanë të vogla dhe të paqëndrueshme.

11.03.2021. / 09:25

Gjendja e paqëndrueshme financiare e shumë mediave në Ballkanin Perëndimor doli edhe më shumë në pah gjatë pandemisë, dhe shumë media ende përballen me luftën për mbijetesë. Covid-19 nuk ka ndryshuar vetëm perspektivën financiare të mediave por ka ndikuar mjaft shumë edhe te ndryshimi i mënyrës se si gazetarët/et bëjnë punën e tyre. Në Maqedoninë e Veriut, sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shumica e redaksive kanë punuar apo vazhdojnë të punojnë nga shtëpia. Duke punuar nga shtëpia ata përballen me probleme dhe sfida të llojllojshme.

Çështja e pozitës së gazetareve brenda redaksive dhe çështja e të kuptuarit të rolit të grave të punësuara, dhe barrës që u ka shkaktuar pandemia është një gjë për të cilën do të duhet raportuar edhe shumë kohë. Vetëm disa hulumtime të realizuara flasin për faktin se gratë u ishin ekspozuar më shumë përjashtimeve nga puna, shkurtimeve të orarit, si dhe barrave të cilat u pasqyruan te kujdesi për shtëpinë, familjen dhe kërkesat paralele për të realizuar të gjitha detyrat e punës.

Një gazetare nga Maqedonia e Veriut, e cila deshi të mbetej anonime, në intervistë për BalkanInsight.com deklaroi: "U detyrova të isha njëkohësisht gazetare, dado dhe nënë, e kjo nuk i interesonte redaktorit. Nëse nuk isha online për 15 minuta, menjëherë më pyeste se ku isha".

Kishte përvoja të ndryshme të punës së gazetarëve gjatë vitit që lamë pas. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ne duam t'u japim hapësirë përvojave të gazetareve dhe si ato e kanë parë dhe përjetuar vitin e shkuar. Me këtë rast, kemi biseduar me zëvendësredaktoren e mediumit online nga Maqedonia e Veriut "Sakam da kažam", Marina Kostova.

Pasiguria ekziston ndërsa planifikimi afatgjatë është i pamundur

Balkansmedia: Çështja e pozitës së pabarabartë të grave dhe burrave në gazetari ka ekzistuar edhe para pandemisë. Sot, një vit pas fillimit të pandemisë, duket se kjo pozitë u përkeqësua. Si e keni përjetuar ju, si gazetare, vitin që e lamë pas?

Marina Kostova: Për fat të keq, në gazetari pozita e gruas dhe e burrit në Maqedoninë e Veriut  është po ashtu e keqe – shumica punojnë në prekariat, nuk u mbrohen të drejtat ndërsa të hyrat i kanë të vogla dhe të paqëndrueshme. Pandemia vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen, sepse edhe disa redaksi janë mbyllur, ndërsa disa i kanë përjashtuar punëtorët apo i kanë zvogëluar në minimum.

Redaksia ime online (www.sdk.mk) është e vogël dhe burimi ynë themelor financiar janë projektet e financuara nga burimet e jashtme (fondet EU, UK, US, NL). Ne kemi arritur të mbajmë ekipin tonë (i cili është i balancuar në aspektin gjinor dhe të drejtat profesionale i kanë të mbrojtura plotësisht) dhe kemi shfrytëzuar me sukses resurset tona për produksion sa më të madh e sa më relevant të lajmeve dhe storieve hulumtuese. Andaj, edhe pse viti i shkuar i Covidit ishte tejet i vështirë për ne, përvoja jonë ishte pak më pozitive. Por, gjithsesi, pasiguria ekziston dhe planifikimi afatgjatë është i pamundur, e me këtë edhe zhvillimi.

Balkansmedia: E dijmë se jetojmë në një sistem patriarkal vlerash, ku gratë shpesh vihen në pozitë të pafavorshme dhe mbajnë barrë të madhe. Ato kujdesen për shtëpinë, për familjen por edhe për punën. Sa ishte e vështirë për ju gjatë vitit të shkuar t'i harmonizoni të gjitha këto obligime, sidomos nëse ishit e detyruar të punonit nga shtëpia?

Marina Kostova: Përsëri, përvoja ime dallon nga të tjerët – unë jam prind vetëushqyes, por fatmirësisht struktura ime familjare më mundëson mbështetje të madhe logjistike, ndërsa ana tjetër pozitive është se edhe djali im mban mësim online, sepse në shkollë fizikisht shkojnë vetëm fëmijët deri në klasën e tretë të fillores. Redaksia jonë ka protokollin e punës për Covid-19 ku sipas sistemit të rotacionit javor një grup gjithmonë punon nga shtëpia ndërsa redaksia i furnizon gazetarët me pajisjet për mbrojtje personale.  Problemi më i madh është për kolegët/et, edhe gratë edhe burrat që kanë fëmijë të vegjël sepse duhet të gjejnë zgjidhje se si të kujdesen për ta pas mësimit të shkurtuar në shkollë si rezultat i pandemisë.

Është fakt se gazetaret i ekspozohen më shumë frikësimit dhe sulmeve online.

Balkansmedia: Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta dhe nëse mendoni se është i ulët – pse ndodh kjo?

Kostova Kostova: Përvoja ime dhe përvojat e kolegeve dhe kolegëve  të gjeneratës sime dhe asaj më të re nuk është se gazetaret janë të pabarabarta – unë kam punuar në redaksi ku shumica e të punësuarve ishin gra, ndërsa kishte balanc gjinor edhe te ekipi redaktorial. Redaksia e së përditshmes Vest ku unë kam punuar për 16 vjet që nga themelimi (që ishte e përditshmja me tirazhin më të madh deri në vitin 2016 por sot, fatkeqësisht, nuk ekziston më) ishte shembull i barazisë në çdo aspekt, përfshirë edhe atë gjinor – me 90 për qind redaktore. Politika jonë e kuadrove ishte e tillë që rekrutonim gazetarë të ri sipas cilësisë, e jo sipas elementeve apo kuotave gjinore, etnike apo tjetërfare, dhe pastaj këta gazetarë të ri u rritën profesionalisht në redaksi duke zënë edhe pozita redaktoriale. Krejt e njëjtë është edhe politika edhe trajtimi në redaksinë time aktuale onilne. Po ashtu, asnjëherë nuk ka ndodhur që një gazetare të pengohet të kryejë punën e saj apo të marrë informata që kërkon vetëm pse është grua.

Por, është fakt se gazetaret i ekspozohen më shumë frikësimit dhe sulmeve online, dhe kjo bazohet në gjini. Përshtypja ime është se përgjithësisht ekziston vetëdija dhe mbështetja solidare edhe te gazetarët edhe te gazetaret në ato raste. Por, abuzimi onilne i gazetareve është vetëm një pjesë e problemit të madh – pandëshkueshmëria e dhunës ndaj gazetarëve në përgjithësi, sidomos në rastet kur dhuna, frikësimi dhe kërcënimet vijnë nga zyrtarë shtetërorë.

 

Ocijenite kvalitet članka