Mund të krijojmë një atmosferë ku viktimat ndjehen të sigurta dhe e dijnë se nuk janë vetëm

26.10.2021. / 08:20

Për rëndësinë dhe rolin e raportimit mbi dhunën gjinore, se a nxisin mediat stereotipe dhe paragjykime përmes raportimit të tyre, cilat janë qasjet e mira të raportimit mbi këtë temë, si dhe për rëndësinë që edhe nga profesioni i gazetarisë të flitet për gazetaret të cilat përjetojnë ngacmime dhe dhunë seksuale, kemi biseduar me Sofija Todorovićin.

Sofija Todorović është menaxhere e projektit në BIRN në Beograd.  Nga viti 2016, ajo ka punuar për Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut si koordinatore e programit, kryesisht është marrë me çështjet e të drejtave të njeriut, drejtësisë tranzicionale dhe demokracisë.

Ajo është fituese e çmimit për të drejtat e njeriut Ledolomac të partisë liberal-demokratike të Serbisë në vitin 2018, si dhe fituese e Çmimit për Arritje Feministe për vitin 2019 nga BeFemi,  qendra kulturore feministe serbe.

Këtë të enjte nga ora 10 deri në 12 (linku për regjistrim) BIRN organizon një diskutim me temën #metoo në gazetari: Kur do të hapen gazetarët/et e Ballkanit?, dhe me këtë rast kemi vendosur të bisedojmë me të për këtë temë të rëndësishme.

Qëllimi i këtij diskutimi është të dëgjohet zëri i gazetareve të cilat kanë pasur përvojë me keqtrajtimin dhe ngacmimin seksual, dhe rreth asaj se cilat ndryshime duhet të ndodhin për të krijuar një mjedis më të sigurtë pune për gazetaret.

Jetojmë në një shoqëri patriarkale ku dhuna ndaj grave është e pranishme në të gjitha sferat. Cili është, sipas jush, roli i gazetarisë në raportimin e dhunës ndaj grave? A është roli i mediave vetëm të informojnë apo duhet të marrin pjesë edhe në edukimin dhe shembjen e matricave të rrënjosura heteronormative patriarkale?

Roli i gazetarisë është të jetë profesionale dhe e bazuar, dhe t'i qaset çdo teme me përgjegjësi. Raportimi i dhunës ndaj grave në rajonin tonë është shumë i keq, përcillet me sensacionalizëm, shpesh është tabloid ndërsa këndvështrimin e viktimave shpesh e anashkalojnë. Kështu, shpesh vijmë në situata të shohim imazhe të grave të rrahura e që shkaqet e dhunës të mbesin krejt të pashtjelluara, dhe prandaj as që mund t'i imagjinojmë fushatat e dhunës kundër grave në të cilat nuk shohim as edhe një mavijosje.

Roli i mediave është të informojnë, por ky informim nuk ka fije dinjiteti, përgjegjësie dhe etike, atëherë nuk jam e sigurtë se mund të flasim për raportimin profesional. Unë besoj se në shoqëritë si këto tonat ku edukimi mbi dhunën, rolet gjinore, feminizmin, nuk është pjesë e programit mësimor, kjo detyrë i bie të gjithë të tjerëve që nuk janë shteti. Po ashtu, jam e sigurtë se sikur raportimi medial për temat më të ndjeshme – e ato para së gjithash janë feministe – të ishte i duhur, pashmangshmërisht do të kishte edhe karakterin edukativ.

Sa ndikim mund të ketë raportimi medial në theksimin e paragjykimeve që ekzistojnë në shoqërinë tonë?

Në shoqëritë që nuk kujdesen për dhimbjen femërore, por atë e paraqesin në mënyrë patetike, ku njohuritë për konceptet themelore të të drejtave të njeriut janë shumë të pakta, çdo raportim profesional shihet si emancipues. Paragjykimet janë të shumta dhe ato duhen trajtuar në të gjitha nivelet. Mendoj se numri i mediave që arrijnë ta paraqesin përvojën femërore në mënyrë të duhur ende është shumë i vogël, por është i rëndësishëm sepse me ato tekste po rriten gjenerata me njohuri të mëdha digjitale. Më e rëndësishmja që duhet theksuar është se   përballja me paragjykimet nuk është punë e thjeshtë dhe shpesh mund të tingëllojë ndërlikueshëm, por ne duhet të kuptojmë se problemet e ndërlikuara nuk kanë zgjidhje të thjeshta dhe kërkojnë përfshirjen e të gjithë aktorëve për të cilët kjo temë ka rëndësi. Nga ana tjetër, ekziston edhe një shabllon i cili përsëritet vazhdimisht – raportimi medial po i largon gratë nga gratë, duke i paraqitur gjithmonë si rivale dhe kundërshtuese. Ne na duhet të kuptojmë se gruaja për gruan nuk është ujk dhe se paragjykimet dhe stereotipet secilën prej nesh, pa përjashtim, e vendosin përjetësisht në një pozitë të pabarabartë.

Ç'është, sipas jush, qasja e mirë e redaksisë dhe mediave kur flasim për raportimin e dhunës gjinore dhe seksizmit? New York Times disa vite më parë ka vendosur që në redaksi të përfshijë këndvështrimin feminist me ç'rast redaksia ka marrë një redaktore të re e cila ka kapital njohurish feministe. A është diçka e këtillë e mundur në rajonin tonë dhe a është ky shembull i mirë që mund t'i kontribojë mbulimit më cilësor të këtyre temave (por edhe të temave të tjera)?

Mediat duhet të punojnë me veten vazhdimisht, të lëvizin kufijtë dhe të avancojnë raportimin e tyre përmes bashkëpunimit dhe të mësuarit të vazhdueshëm. BIRN-i, për shembull, ka realizuar bashkëpunim me Atina NGO me të cilën po punojnë bashkërisht për edukimin e gazetarëve/eve mbi raportimin gjinor që nuk ka për qëllim ta bëjë storien "të mërzitshme" apo më pak të rëndësishme, por e kundërta. Ne po mësojmë nga njëri-tjetri, dhe është tejet me rëndësi që vija e këtyre njohurive dhe shkathtësive të mos ndërpritet. Kjo është e rëndësishme si për pjesëmarrësit/et ashtu edhe për ne që jemi pjesë e mediave dhe organizatave joqeveritare. 

Meqë jetojmë në një botë ku gjithçka po ndryshon me shpejtësi, ndërsa vëllimin e trendeve negative nganjëherë nuk mund ta përcjellim dhe as t'i përgjigjemi aq shpejt, besoj se është me rëndësi të jemi konstruktivë dhe të provojmë qasje të ndryshme të cilat mund të përmirësojnë punën e mediave dhe njohuritë e punëtorëve të tyre.  Në këtë aspekt, unë besoj në shkëmbimin e njohurive, besoj se duhet provuar gjithçka që mund t'i vetëdijësojë mediat "nga brenda" sepse qëllimi të cilin e synojmë është raportimi i cili respekton viktimat dhe nuk bën viktimizim dytësor. Seksizmi dhe mizogjina kanë zënë vend në mediat tona, mbulimi më cilësor i të gjitha temave që kanë të bëjnë me gratë duhet të jetë prioritet – një botë më e mirë për gratë do të thotë një botë më e mirë për secilin.

Në Sarajevë, aktoret kanë nisur platformën online #NisamTražila, ku publikojnë rrëfimet e aktoreve lidhur me dhunës kundër tyre. Sa është e rëndësishme të flitet për dhunën nga profesioni, gjegjësisht që gazetaret drejtpërdrejt të flasin për përvojat e tyre?

Të enjten (koha: 10h-12h, linku për regjistrim), BIRN-i do të zhvillojë diskutimin online ku pikërisht me gazetaret nga rajoni do të flasim për dhunën të cilën gazetaret e përjetojnë në vendet e punës, ndërsa do të përpiqemi t'i përgjigjemi edhe pyetjes se ç'nevojitet që gazetaret të ndjehen të forta për të folur. Në Serbi në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti kemi pasur disa dalje të guximshme të viktimave të dhunës të cilat i kanë emërtuar keqtrajtuesit e tyre. Është e rëndësishme të flasim publikisht për këtë, por ekziston edhe një gjë mbase më e rëndësishme – që çdo viktimë të zgjedhë momentin e saj kur do të flasë. Ne, si një lloj publiku, jemi këtu t'i mbështesim, të jemi aty, të kontribojmë nëse mundemi që varrat e tyre shpirtërore të shërohen.

E kur gruaja përfundimisht del me rrëfimin e vet, ne duhet të jemi të gatshëm ta lëmë ta bëjë këtë në mënyrën e cila atë e bën të ndjehet mirë, të jemi solidarë dhe plot mirëkuptim, tekembramja përvoja është e saj.  Në rastet e keqtrajtimit seksual nuk është me rëndësi çka dëshiron publiku, këtë duhet ta kemi të qartë. Me rëndësi është a ndjehet viktima e aftë të tregojë rrëfimin e saj në momentin kur ajo ndjen nevojën për këtë.

Kur flasim për gazetaret, ekziston një nismë e mrekullueshme për të cilën besojmë se kanë dëgjuar lexuesit, e nëse jo – ky është momenti. Fjala është për grupin joformal "Gazetaret kundër dhunës ndaj grave". Grupi përbëhet nga 75 gazetare dhe redaktore mediash nacionale dhe lokale në Serbi të cilat në mënyrë të organizuar, publikisht dhe zëshëm luftojnë kundër dhunës ndaj grave. Nisma të këtilla janë mekanizma të rëndësishëm të mbështetjes, përhapjes së vetëdijes dhe inkurajimit.

Do ta shfrytëzoja këtu rastin të përmend edhe disa faqe interesante online të cilat merren me këtë tematikë – njëra prej tyre është faqja e Facebookut "Shtylla e turpit" të cilën e ka hapur aktorja Danijela Stajnfeld. Faqja publikon përmbajtje online që shpalos ngacmimin dhe urrejtjen ndaj grave të cilat kanë folur për dhunën seksuale.

A mund të sjellë shpalosja e dhunës që e përjetojnë gazetaret mjedis më të sigurtë të punës dhe ulje të dhunës gjinore?

Po, përfundimisht. Çdo avancim të sigurisë së hapësirës ku kalojnë kohë gratë e kanë nisur gratë të cilat kanë folur për dhunën, traumat dhe frikën. Por, siç thashë më lart, ne (publiku) nuk jemi drejtues të këtij procesi, por mund të krijojmë atmosferë në të cilën gratë do të ndjehen të sigurta nëse flasin, dhe do të dijnë se nuk janë vetëm. Këtë duhet dhe mund ta bëjmë bashkërisht.

Çdo grua meriton një mjedis pune ku nuk do t'i ekspozohet seksizmit, dhunës (psiqike e fizike), mizogjinsë, trajtimit të pabarabartë ekonomik, apo shantazheve gjinore. 

Sa është me rëndësi që në këtë narrativë të futen edhe meshkujt, meqë dhuna gjinore vjen pikërisht prej tyre? A është i rëndësishëm edukimi shtesë i kolegëve dhe e mund të kontribojnë për vetëdijësimin dhe uljen e dhunës gjinore?

Është me rëndësi të përfshihen të gjithë, është me rëndësi që meshkujt të jenë aleatë të betejës së grave, por jo me çdo çmim e sidomos jo nëse nuk e kanë parasysh, në çdo çast, faktin se gruaja e di se ç'është më e mira për të dhe se ajo është bashkëbiseduesja e barabartë për çdo temë. Ky duhet të jetë minimumi për të cilin duhet të merremi vesh. Se gratë janë mjaft të mençura, mjaft të zellshme, mjaft të afta, mjaft të përgjegjshme, se thjesht janë të mjaftueshme dhe të mira pa imponimin e kritereve patriarkale të vlerësimit të gruas si qenie.

Pse keni vendosur të nisni ngjarjen #metoo në gazetari: Kur do të hapen gazetarët/et e Ballkanit?
Kemi vendosur të nisim diskutimin për këtë temë në dritën e ngjarjeve të cilat kanë tronditur rajonin tonë e të cilat kanë të bëjnë me gratë që kanë dalur guximshëm dhe kanë folur për traumat e tyre. Mendoj se asnjë profesion nuk është imun kundrejt dhunës ndaj grave. Duhet t'i ikim atij etiketimi të profesioneve dhe industrive të caktuara që priren të shkaktojnë dhunë kundër grave. Ne si organizatë mediale dëshirojmë të krijojmë hapësirë që të bisedohet për këto probleme në kontekstin e profesionit gazetaror. Mendoj se një nismë e këtillë duhet të burojë nga vetë mediat. 

Për krejt këtë dëshirojmë të flasim me gazetaret, dëshirojmë që ato t'na i tregojnë përvojat e tyre, dëshirojmë të mësojmë se si dallohet dhuna dhe ç'mund të avancojmë në redaksitë tona që gratë të jenë më të sigurta dhe më të mbrojtura.

Kjo, sipas meje, është qasje më e përgjegjshme dhe në këtë masë ne si individë dhe shoqata solidare u kemi borxh të gjitha grave të cilat kalojnë vite të tëra të turpëruara e të heshtura.
 

Ocijenite kvalitet članka