Vanja Stokić: Kolegët të cilët janë të vetëdijshëm për pabarëzinë gjinore vërtet na dëgjojnë kur u flasim për ato gjëra

12.03.2021. / 09:16
Share
Foto: Mirjana Ribić
Foto: Mirjana Ribić
Foto: Mirjana Ribić

Një studim i ndikimit të pandemisë te gazetaret në Bosnjë dhe Hercegovinë, i realizuar nga Shoqata e Gazetarëve të BeH, konfirmoi se gazetaret ishin dhe vazhdojnë t'u ekspozohen presioneve më të mëdha dhe një sërë problemeve që janë përkeqësuar nga pandemia.

Shumica e gazetareve të intervistuara theksuan ankthin dhe stresin në rritje dhe ndryshime të temave për të cilat kishin raportuar deri atëherë. Mbi 77% e gazetareve deklaruan se stabiliteti i tyre mendor dhe shëndeti mendor ishin dëmtuar gjatë situatës së krizës të shkaktuar nga pandemia, dhe 25% e tyre deklaruan se shëndeti i tyre fizik ishte dëmtuar.

Vanja Stokić, redaktore dhe gazetare e portalit Etrafika.net, gjithashtu konfirmoi se ajo ka përjetuar më shumë sulme dhe situata të sikletshme gjatë vitit të fundit krahasuar me vitet paraprake. Me të kemi biseduar lidhur me përjetimin e saj të vitit të shkuar, si dhe sa ka qenë e vështirë të harmonizohen të gjitha sferat e jetës. Gjatë bisedës kemi dashur të dijmë nëse ajo sheh pabarazi mes burrave dhe grave, sidomos në mjediset afariste, dhe çka mendon për faktin se gratë janë ato që rëndom në media shtjellojnë temat që lidhen me pabarazinë, diskriminimin dhe grupet minoritare. 

Ekspozim më i madh ndaj sulmeve dhe situatave të sikletshme

Balkansmedia: Çështja e pozitës së pabarabartë të grave dhe burrave në gazetari ka ekzistuar edhe para pandemisë. Sot, një vit pas fillimit të pandemisë, duket se kjo pozitë u përkeqësua. Si e keni përjetuar ju, si gazetare, vitin që e lamë pas?

Vanja Stokić: Unë vetëm do të thosha se njerëzit thjesht janë egërsuar. Nuk e di nëse kjo është për shkak të pandemisë, por mendoj se ka pasur ndikim të madh. Kam përjetuar shumë më tepër sulme dhe situata të sikletshme se më parë. Nga ana tjetër, burrat ishin kryesisht ata që ishin të bindur për epërsinë e tyre gjinore. Kam punuar shumë më tepër se më parë, në kushte të jashtëzakonshme dhe të vështira, gjë që çoi në sasi të madhe stresi dhe disa thyerje. Stresi shtesë u shkaktua nga fakti se unë u detyrova të punoja si menaxhere përveç gazetarisë. Puna ime është të siguroj para për funksionimin e redaksisë, e kjo gjatë vitit të shkuar ishte më e vështirë se kurrë. Kjo vetëdije se lëshimet e mia dhe pamundësia e gjetjes së mjeteve mund të mbyllin mediumin tuaj vetëm se më shkaktonte presion shtesë. Ajo shpesh ma bllokonte punën në gazetari sepse nuk isha në gjendje t’i përkushtohesha edhe kur kisha kohë.

Kufijtë midis punës dhe kohës së lirë në shtëpi

Balkansmedia: E dijmë se jetojmë në një sistem patriarkal vlerash, ku gratë shpesh vihen në pozitë të pafavorshme dhe mbajnë barrë të madhe. Ato kujdesen për shtëpinë, për familjen por edhe për punën. Sa ishte e vështirë për ju gjatë vitit të shkuar t'i harmonizoni të gjitha këto obligime, sidomos nëse ishit e detyruar të punonit nga shtëpia?

Vanja Stokić: Shumë e vështirë. Përndryshe, nuk më pëlqen puna nga shtëpia se shumë gjëra më shpërqendrojnë. Sapo filloj të shkruaj tekstin, më kujtohet se duhet të var rrobat, të pres perime për çorbë, të ushqej macet... Nuk jam e martuar dhe nuk kam fëmijë, andaj nuk mund ta imagjinoj se si është për kolegët e mi që kanë familje. Gjatë karantinës dhe punës dymujore nga shtëpia, disa herë ika nga shtëpia për në redaksi që të dilja nga situata sa i përket produktivitetit. Unë kam fatin të jetoj me një djalë që merr përsipër disa nga punët e shtëpisë dhe nuk pret që t’i kërkoj t'i bëjë ato. Megjithatë, kur punoj nga shtëpia, nuk mund t'i përkushtohem plotësisht punës sepse jam duke ekuilibruar vazhdimisht midis hapësirës së punës dhe asaj private – thjesht nuk arrij të bëj dallimin midis tyre. Kështu futem në një situatë ku në të vërtetë punoj nga mëngjesi deri natën vonë. Ka aty edhe pauza për obligime private por prapëseprapë ekziston ai presin se më vonë duhet t'i ktheheni punës. Periudha më e vështirë për mua faktikisht nisi kur u ktheva në redaksi sepse më priti krejt puna e cila ishte në pritje. Gjatë karantinës, shumëgjëra nuk mund të bëheshin, dhe me lehtësimin e masave gjithçka erdhi në vendin e vet. Erdhi periudha e punës në zyrë për 7-8 orë dhe pastaj kalimi në shtëpi për të vazhduar punën. Thjesht shkoja nga puna në punë. Para një muaji vendosa të punoj vetëm nga redaksia, për të mos e bartur punën në shtëpi. Megjithatë, tashmë e kam shkelur këtë rregull.

Kur gazetarët raportojnë për grupe të margjinalizuara, ata janë më të vetëdijshëm për pabarazinë gjinore

Balkansmedia: Sipas jush, cili është niveli i vetëdijes së kolegëve tuaj për faktin se gazetaret janë të pabarabarta dhe nëse mendoni se është i ulët – pse ndodh kjo?

Vanja Stokić: Shumë i ulët. Disa prej tyre janë shumë të vetëdijshëm dhe madje reagojnë kur vërejnë sjellje të padrejtë, por shumica e tyre thjesht nuk mund ta perceptojnë atë. Ndodh që askush nuk u ka tërhequr vëmendjen për trajtimin e pabarabartë në momentin kur ai ndodh, që ata të mund ta shohin në këtë mënyrë. Për shembull, unë shpesh jam në terren me një koleg. Ai është kameraman, unë gazetare. Pavarësisht se unë drejtoj bisedën dhe u bëj pyetje bashkëbiseduesve, ata i përgjigjen atij. Pra, unë i drejtohem personit dhe e pyes diçka, e ajo shikon kolegun dhe i përgjigjet. Kjo ka ndodhur disa herë. Edhe pse ai është shumë i vetëdijshëm për pozicionin në të cilin gjenden gazetarët, dhe reagon ndaj shumë gjërave, ky detaj i ka ikur. E vuri re vetëm kur i thashë se kjo po ndodhte. Kolegët që janë në dijeni të situatës na dëgjojnë vërtet kur u tregojmë për këto gjëra. Ata nuk flasin me ne me "gjysmë truri", por përfshihen vërtet në bisedë dhe kuptojnë se çka po u themi. Ndihmon shumë fakti se ata merren me tema të ngjashme në gazetari, për shembull me pozicionin e grupeve të ndryshme të margjinalizuara, dhe gjithashtu janë të përgatitur profesionalisht për t'i dalluar ato situata.

Balkansmedia: Si e shihni faktin se zakonisht gazetaret raportojnë për pozitën e pabarabartë të grave, gjegjësisht se gazetarët nuk duan të merren me temat e pabarëzisë gjinore?

Vanja Stokić: Do të raportonin sikur situata të ishte e anasjelltë dhe t'u përkiste atyre. Disi shumica e storieve të pabarazisë gjinore përfundojnë me etiketimin e grave si feministe radikale, e që shoqëria jonë për fat të keq i percepton shumë negativisht. Rrallë dikush raporton për njerëzit mbi të cilët dikush është superior në çfarëdo mënyre. Gjithashtu, për fat të keq, disa gazetarë nuk raportojnë për sulmet ndaj kolegëve të tyre, por i justifikojnë në një mënyrë apo tjetër. Për sulmet flasin vetëm kur ato u ndodhin atyre.

Ocijenite kvalitet članka