Për respiratorët po flitet me të madhe në dy muajt e fundit, qëkurse ka nisur pandemia globale e shkaktuar nga sëmundja COVID19. Hallakatja e shteteve dhe sistemeve shëndetësore për to mund të krahasohet me betejat nëpër supermarkete për miell, por publiku i gjerë nuk ka pasur mjaft raste të mësojë se çka janë respiratorët dhe si funksionojnë ato.
VETËM NË RASTET MË TË RËNDA
Respiratorët janë instrumente të cilat marrin frymë në vend të pacientëve dhe përdoren në situatat kur mushkëritë nuk janë në gjendje ta kryejnë punën e tyre – ta ushqejnë gjakun me oksigjen. Pacienti me ndihmën e një tubi lidhet me respiratorin, i cili pastaj e pompon oksigjenin e lagur në mushkëri, dhe nxjerr CO2 të cilin e prodhon pacienti. Sasia e oksigjenit në masën e ajrit, lagështia, volumi dhe parametrat e tjerë të kësaj procedure rregullohen në respirator, dhe vlerat e tyre ideale varen nga pacienti.(1)
Respiratorët përdoren vetëm te rastet më të rënda, ku mushkëritë nuk janë në gjendje të punojnë në nivel të duhur për ta mbajtur organizmin në jetë. Për personat të cilët nuk kanë simptoma të rënda mund të përdoret ventilimi joinvaziv, ku nuk kryhet intubacioni. Një mënyrë e ventilimit mekanik joinvaziv është CPAP - continuous positive airway pressure, që i mban të hapura rrugët e frymëmarrjes të pacientit. (2)
Kjo nuk është procedurë urgjente dhe CRAP makinat mund të blihen lirë për përdorim shtëpiak, dhe ato shpesh i përdorin njerëzit të cilët vuajnë nga apnea gjatë kohës së gjumit – gjendje ku rrugët e frymëmarrjes mbyllen gjatë gjumit, dhe shkaktojnë mungesë oksigjeni gjatë natës, andaj ato nuk bën të ngatërrohen me respiratorët, megjithëse edhe kjo ka ndodhur. Kompania e Elona Musk-ut, Tesla, kështu ka premtuar se do të prodhojë një numër të madh respiratorësh, e në fakt kanë sjellë CRAP aparate. (3)
Sipas të dhënave të OBSh-së, 80% e të sëmurëve me COVID19 shërohen pa nevojë për trajtim spitalor, ndërsa sipas të dhënave të CDC-së (Center for Disease Control) 5%-10% e të gjithë rasteve të spitalizuara me COVID19 kërkojnë kujdes intensiv, derisa sipas të dhënave nga Nju Jorku, nga 5700 persona të spitalizuar rreth 12% kanë përfunduar me respiratorë. Sipas këtyre shifrave, kjo do të thotë se rreth 1-2% e të gjithë të infektuarve me koronavirus do të kërkojnë kujdes intensiv, e që përputhet me të dhënat nga Italia, ku kjo shifër sillet rreth 2%. (4,5,6,7)
SA JANË EFIKASË RESPIRATORËT?
Një nga paqartësitë e publikut në lidhje me respiratorët ka të bëjë me efikasitetin e tyre. Siç kemi thënë në hyrje të këtij teksti, respiratorët përdoren në rastet më të rënda ku mushkëritë pushojnë së funksionuari dhe ato janë shpresa e fundit që ai person të mbijetojë. Fatkeqësisht, në rastet më të mira 50% e atyre pacientëve nuk mbijetojnë. Raportet aktuale nga Nju Jorku dhe Kina këtë shifër e nxjerrin në 80%, derisa në Mbretërinë e Bashkuar ajo është më e vogël – 66%. Këto janë të dhënat nga studimet më të vogla që natyrisht nuk japin pasqyrë të plotë, dhe këto shifra sigurisht se do të bien me kohë, por jo shumë. (6, 8, 9)
Një nga arsyet për vdekshmërinë kaq të madhe tek pacientët me respiratorë mund të jetë edhe mbështetja e madhe në to. Një grup i mjekëve evropianë i ka dërguar një letër një reviste amerikane të kujdesit respirator dhe klinik, në të cilën i apelojnë mjekët të shmangin përdorimin e panevojshëm të ventilimit mekanik ngase COVID19 shkakton një lloj atipik të ARSD-së (Acute Respiratory Distress Syndrome). Atipik sepse megjithëse vjen deri te niveli shumë i ulët i oksigjenit në gjak, pacientët prapë nuk janë në gjendje të marrim frymë natyrshëm, dhe prandaj shumë prej tyre nuk kanë nevojë për pompim mekanik të oksigjenit, që potencialisht mund të paraqesë shumë rrezik për ta.(10)
Dëmi nga respiratorët shkaktohet në shumë mënyra. Për shkak të nivelit të ulët të oksigjenit në gjak të pacientëve, oksigjeni futet nën presion të lartë e kjo mund të shkaktojë dëmtimin e indit të mushkërive. Po kështu, duke qenë se intubacioni bëhet me futjen e një tubi të gjatë plastik nëpër laring dhe telat zanorë, kjo hap një rrugë nëpër të cilën bakteriet e rrezikshme mund të futen në mushkëri dhe të shkaktojnë ndezje të tyre.(11)
Shpjegimi tjetër për vdekshmërisë e lartë mund të ketë të bëjë thjesht me stërngarkimin e sistemeve shëndetësore, sepse nuk ka mjaft specialistë të cilët do të mund t'i rregullonin parametrat në respiratorë për secilin pacient veç e veç, apo sepse provojnë metoda më pak invazive dhe kalojnë në respiratorë vetëm kur situata e kërkon një gjë të tillë.
Natyrisht, ka mundësi që këto shifra me vdekshmërinë janë vetëm rezultat i interpretimit të gabuar, sepse shumica e njerëzve që gjenden në situatë të përfundojnë në respiratorë janë persona në moshë të shtyrë dhe posedojnë komorbiditete të tjera dhe me këtë ata janë pikërisht popullsia e cila ka më së paku gjasa të nxjerrë dobi nga respiratorët, e që mund të konfirmohet edhe nga raportet e CDC-së, si dhe ministrisë spanjolle të shëndetësisë.12,13
Pra, respiratorët nuk janë ilaçi magjik për koronavirus por një instrument i rrezikshëm dhe kompleks i cili përdoret vetëm si shpresa e fundit për rastet më të rënda. Suksesi i tij nuk varet aq nga respiratori sa varet nga njohuritë e mjekëve dhe komorbiditeti i pacientit. Edhe në rastet e trajtimit të suksesshëm me respiratorë, dëmi në mushkri mund të jetë i pakthyeshë dhe prandaj parandalimi ende është taktika më e mirë në këto kohë pandemie.
Referencat
1. “Coronavirus: What Are Ventilators and Why Are They Important?” BBC News, BBC, 16 prill 2020, www.bbc.com/news/health-52036948.
2. Center for Devices and Radiological Health. “Ventilator Supply Mitigation Strategies.” U.S. Food and Drug Administration, FDA, www.fda.gov/medical-devices/letters-health-care-providers/ventilator-supply-mitigation-strategies-letter-health-care-providers.
3. Whooley, Sean. “Elon Musk Criticized for Donating Sleep Apnea Ventilators.” MassDevice, 6 prill 2020, www.massdevice.com/elon-musk-criticized-for-donating-sleep-apnea-ventilators.
4. “Kumtesë për media: T'i njohim rreziqet e COVID-19". Organizata Botërore e Shëndetësisë, www.who.int/indonesia/news/detail/08-03-2020-knowing-the-risk-for-covid-19.
5. “Severe Outcomes Among Patients with Coronavirus Disease 2019 (COVID-19) - United States, February 12-16 mars, 2020.” Centers for Disease Control and Prevention, Centers for Disease Control and Prevention, 26 mars 2020, www.cdc.gov/mmwr/volumes/69/wr/mm6912e2.htm.
6. Richardson, Safiya. “Clinical Characteristics, Comorbidities, and Outcomes Among Patients With COVID-19 Hospitalized in the NYC Area.” JAMA, 22 prill 2020, jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2765184.
7. Pcm-Dpc. “Pcm-Dpc/COVID-19.” GitHub, github.com/pcm-dpc/COVID-19/blob/master/dati-andamento-nazionale/dpc-covid19-ita-andamento-nazionale.csv.
8. Ñamendys-Silva, Silvio A. “Respiratory Support for Patients with COVID-19 Infection.” The Lancet Respiratory Medicine, vol. 8, no. 4, 2020, doi:10.1016/s2213-2600(20)30110-7.
9. Vaidya, Anuja. “66% Of COVID-19 Patients Needing Mechanical Ventilation Die, New Study Shows: About Two-Thirds of COVID-19 Patients Requiring Mechanical Ventilation Die, a 3,883-Person Study Shows.” Becker's Hospital Review, www.beckershospitalreview.com/patient-safety-outcomes/66-of-covid-19-patients-needing-mechanical-ventilation-die-new-study-shows.html.
10. Gattinoni, Luciano, et al. “Covid-19 Does Not Lead to a ‘Typical’ Acute Respiratory Distress Syndrome.” American Journal of Respiratory and Critical Care Medicine, 2020, doi:10.1164/rccm.202003-0817le.
11. Hamilton, Jon. “Ventilators Are No Panacea For Critically Ill COVID-19 Patients.” NPR, NPR, 2 prill 2020, www.npr.org/sections/health-shots/2020/04/02/826105278/ventilators-are-no-panacea-for-critically-ill-covid-19-patients.
12. Ducharme, Jamie. “Why Ventilators May Not Be Working Well for COVID-19 Patients.” Time, Time, 16 prill 2020, time.com/5820556/ventilators-covid-19/.
13. “ISCIII.” Informes COVID-19, www.isciii.es/QueHacemos/Servicios/VigilanciaSaludPublicaRENAVE/EnfermedadesTransmisibles/Paginas/InformesCOVID-19.aspx.