Animoto: Krijoni storie rrëfyese në formatin video

07.02.2022. / 08:32

Industria e mediave tash e një kohë është në periudhën kur roli i dizajnit dhe rrëfimit vizual është më i rëndësishëm se kurrë.

Sot storiet prodhohen si narrativë lineare me video, infografika dhe elemente të tjera vizuale të cilat krijojnë përvojë të prekshme për publikun. Kështu ne e sjellin publikun te thelbi i stories.

Sot ekzistojnë formate të ndryshme me të cilat mediat e tregojnë storien. Storiet rrëfyese janë  bërë shumë të rëndësishme pikërisht për shkak se u ofrojnë përjetim unik përdoruesve.

Publiku sot kërkon dhe vlerëson shumë mënyrat e reja të rrëfimit. Prandaj, veglat digjitale dhe formatet e reja të rrëfimit janë shumë të rëndësishme për gazetarët për t'i afruar temat sa më mirë publikut.

Siç shkruan kolegia Irena Omazić në tekstin e saj për shkathësitë digjitale të gazetarëve, "veglat që storien mund ta bëjnë interaktive, vizuale dhe zanore ofrojnë një përjetim krejt të ri të gazetarisë dhe përmbajtjes mediale".

Gazetarja Evliana Berani në Forumin USAID BMAP Media të vitit të kaluar foli për temët e rrëfimit dhe shpalosjes multimediale të përmbajtjes, ku theksoi se "formatet e ndryshme në shpalosjen multimediale, sidomos në rrjetet sociale kanë rol vendimtar në paraqitjen e përmbajtjes mediale sot". Po ashtu, ajo tha se gazetarët si rrëfyes duhet të jenë kreativë, të mendojnë vizualisht, të informojnë e të orientojnë publikun. "Teknologjia dhe rrjetet sociale mund të përmirësojnë rrëfimin tonë" – përfundoi Berani në prezentimin e saj.

Veglat që sot ekzistojnë e që janë krijuar pikërisht për të lehtësuar procesin e rrëfimit, çdo gazetari i hapin mundësitë e rrëfimit kreativ. Veglat e këtilla ofrojnë elemente të thjeshta, shabllone të gatshme të cilat çdo storie të përgatitur mirë do ta bëjnë edhe më atraktive në formatin video.

Andaj, sot po ju paraqesim një vegël online e cila mund t'ju ndihmojë që vizualisht, përmes kësaj forme, t'i shpalosni storiet tuaja rrëfyese.

Çka është Animoto?

Animoto është platformë online e krijimit të videove në cloud. Mund të përdoret për krijimin e videove edhe nga fotografitë. Kryesorja është që nuk duhet të mendoni për formatet e fajlëve të ndryshëm ngase Animoto e bën krejt punën e kalimit nga njëri format te tjetri.

Animoto është krejt i thjeshtë për përdorim. Platforma përfshin shabllone për të lehtësuar edhe më tej shprehjen tuaj kreative.

Meqë videoja është krijuar online, shpërndarja e saj është e thjeshtë po aq sa kopjimi i një linku. Kjo do të thotë se videoja mund të krijohet në shumë pajisje (kompjuter, tablet, telefon), ndryshe nga veglat tradicionale të përpunimit të videove të cilat kërkojnë fuqi të madhe të procesorit të pajisjes me të cilën punoni.

ewe

Si funksionon?

Animoto është vegël intuitive për krijimin e videove falë shablloneve të saj, interaktivitetit dhe sasisë së madhe të mediave në dispozicion. Është e shkëlqyer për shfaqjen e videove tuaja në rrjetet sociale, ndërsa shumë e përdorin edhe për kanalet në Youtube.

Si në rastin e veglave të tjera të ngjashme, nëse përdorni materialin tuaj (video dhe fotografi) thjesht i bartni në Animoto. Pasi t'i keni bartur në këtë platformë, mund të klikoni në to dhe t'i nxirrni e t'i lëshoni në atë vend ku e keni menduar videon.

sa

Mund të përdorni një numër të madh shabllonesh kreative me të cilat videoja juaj do të duket profesionale.

Ndër materialet falas që mund të përdorni janë edhe videot, fotografitë si dhe fontet e ndryshme për të krijuar e formësuar produktin tuaj final që ju nevojitet. Vegla përmban një inventar me mbi një milion fotografi e video. Po ashtu, aty mund të gjeni mbi 3000 klipe të licencuara muzikore, gjë që e bën të lehtë të shtoni muzikë në videot tuaja.

Mund të përdorni edhe telefonin tuaj, qoftë Android apo iPhone, për të punuar drejtpërdrejt me videon.

Mundësia e integrimit të videove në platforma të tjera, siç është blogu, është shumë e thjeshtë sepse mund të përdorni vetëm URL – në esencë, njëjtë siç funksionon Youtube.  Kopjojeni dhe ngjiteni, dhe videoja do të integrohet drejtpërdrejt dhe do të riprodhohet në blogun tuaj si pjesë e faqes. Po kështu mund të shtoni edhe një buton për veprim në fund të videos, gjë që është e dobishme nëse dëshironi që publiku të vizitojë linkun për më shumë detaje.

Sa kushton?

Sikurse shumica e veglave të ngjashme, Animoto ofron versionin falas dhe me pagesë. Versioni bazë është falas, por me rastin e eksportimit të videos do t'ju shfaqet vula e Animotos. Versioni falas gjithashtu përfshin eksportin e videos në 720p, ka 350+ klipe muzikore, 12 shabllone, 3 fonte dhe 30 mostra ngjyrash.

Versionet me pagesë vijnë në tri nivele: bazik, profesional dhe profesional +.

Plani bazik me pagesë kushton 8 dollarë, versioni profesional 15 dollarë, ndërsa versioni profesional + kushton 39 dollarë në muaj.

Në faqen e tyre do të gjeni edhe tutoriale të ndryshme të cilat mund t'ju ndihmojnë që videot tuaja t'i krijoni në mënyrën më kreative të mundshme.

Edhe kjo vegël me siguri do të jetë një rast i shkëlqyer për secilin gazetar/e që të fillojë të shpalosë përmbajtjen e vet edhe vizualisht, e që rrëfimi përmes formatit video të bëhet përditshmëri në mediat tuaja.

Ocijenite kvalitet članka