Në epokën digjitale, kur pjesa më e madhe e informacionit reduktohet në paraqitje grafike, përmbajtja vizuale është një nga komponentët më të rëndësishëm për tërheqjen e publikut. A e dini se me paraqitjet vizuale në mediat sociale ka 40 herë më shumë gjasa që përmbajtja juaj të ndahet tutje?
Duke pasur parasysh këtë informacion, imagjinoni se dëshironi të krijoni një dizajn i cili do t'ju ndihmojë që artikulli juaj të ketë më shumë lexueshmëri, por nuk keni dizajner grafik në redaksi ose nuk keni para të mjaftueshme për të paguar dikë për të bërë ndonjë infografikë, poster ose publikim në rrjete sociale? Jemi të vetëdijshëm për shpejtësinë e punës suaj të përditshme prej gazetari dhe pamundësinë për të nxënë tash disa aftësi të reja, siç është puna me programe më komplekse, siç është Photoshop. Sot ekziston një numër aplikacionesh që janë krijuar posaçërisht për t'ju mundësuar juve dhe të tjerëve si ju që me lehtësi të bëni zgjidhje grafike. Një prej aplikacioneve të tilla, të cilën e shfrytëzojmë ne nga Balkansmedia në punën tonë të përditshme, është Canva. Ky aplikacion mund të ju ndihmojë të jeni dizajner brenda pak minutash dhe t'i shndërroni mediat tuaja sociale në një vend që e vizitojnë të gjithë dhe duan ta ndajnë tutje përmbajtjen tuaj.
Bëni dizajn të përsosur për pesë minuta
Canva gjendet në browser të internetit dhe mund t'i qaseni nga cilido vend, andaj nuk ju duhet kompjuter shumë i shpejtë që për mê pak se pesë minuta të mund të krijoni dizajn të përsosur. Apo thjesht instaloni aplikacionin në telefonin tuaj celular dhe filloni që sot të krijoni posterë super profesionalë, fletushka, infografika dhe postime në media sociale.
Ju duhet të krijoni një profil dhe të futeni në botën e dizajnit me disa klikime.
Pasi të keni krijuar profil dhe hyni në Canva, gjëja e parë që do të shihni është një interface si ky.
Siç mund ta shihni në dritaren e hapur, ku shkruan Search designs, templates and more, ju mund të zgjidhni se çfarë lloji të formatit dëshironi të krijoni. ME Canva më nuk keni nevojë të mbani mend apo të kërkoni se cilat janë dimensionet për Facebook apo Twitter, apo për Instagram story. Mjafton te fusha e kërkimit të shkruani, p.sh. Facebook post dhe do të ju dalë një dokument i ri i cili do te jetë pikërisht me ato dimensione. Canva ka një koleksion të shabllonëve specifikë, profesionalë me një përzgjedhje të gjerë të përmbajtjes (Instagram, Facebook, Twitter, Tumblr, etj.). Faqja e shablloneve është e ndarë në kategori – lloje të përmbajtes – dhe nënkategori sipas temave. Për shembull, mund të zgjidhni shabllonë për posterë, prezantime, fletushka, infografika, karta biznesi, CV, broshura, kopertina librash dhe shabllonë për platforma të ndryshme. Përveç kësaj, secili shabllon tashmë është i optimizuar me dimensione përkatëse për produkte si banerë, header dhe fotografi nga kryefaqet për uebfaqe të caktuara si Facebook, Twitter apo Linkedin.
Më nuk keni nevojë t'i ruani në telefon a në kompjuter fajlët e dizajnuar, të cilët ju zënë vend dhe jua ngadalësojnë pajisjen. Canva thjesht i ruan të gjitha dizajnet tuaja në një vend, te kategoria All your designs.
Përveç shabllonit, dizajnit tuaj mund t'i shtoni një numër të madh fotografish. Në këndin e poshtëm të djathtë kur kaloni me kursor, fotografia do t'ju tregojë nëse është falas ose me pagesë, zakonisht kushton 1 dollar.
Brenda Canva-s, keni mundësi të krijoni brendin tuaj (ngjyrat, fontin, logon), për të mos pasur nevojë të kërkoni përsëri ndonjë ngjyrë specifike që e bën mediumin tuaj të dallueshëm. Duhet përmendur këtu se në versionin falas mund të shtoni vetëm ngjyra. Logotipet dhe fontet mund t'i shtoni në versionin me pagesë për të cilin mund të lexoni në vijim.
Një mundësi shumë e dobishme brenda Canva-s është krijimi i një ekipi, që të mund të shtoni më shumë njerëz nga redaksia juaj dhe ta keni tërë dizajnin tuaj në një vend, i cili gjithmonë do të jetë si fajl i hapur dhe i përpunueshëm. Në versionin falas, keni mundësi të shtoni ekipe, por për të shfrytëzuar të gjitha funksionet dhe përparësitë e ekipit, do të duhet të paguani një çmim anëtarësie. Në anën tjetër, në versionin me pagesë përmes të cilit ju ofrohen shumë funksione shtesë, shtimi i ekipeve mundësohet me një pagesë shtesë.
Mundësitë e versionit falas dhe atij me pagesë
Canva, si shumë aplikacione të ngjashme, ofron një version falas dhe versionin me pagesë. Ekzistojnë disa opsione të cilat nuk do të mund t'i përdorni në versionin falas, dhe me siguri një nga më të rëndësishmet është që automatikisht të ndryshoni formatet e dizajnit tuaj. Është e rëndësishme të theksohet se versioni me pagesë ofron zgjedhje më të madhe të veglave që mund t'i përdorni, siç janë më shumë fotografi, video ose përpunime shtesë. Sidoqoftë, edhe në versionin falas, do të keni shumë mundësi të krijoni dizajn mjaft të mirë për rrjetet tuaja sociale.
Një nga opsionet e ofruara të versionit me pagesë është ndryshimi i formatit, i cili sigurisht mund të jetë shumëfish i dobishëm. Nëse e keni përgatitur dizajnin tuaj, ta zëmë, për një postim të story-t, dhe dëshironi të përdorni të njëjtin dizajn për rrjetet e tjera (Facebook, Twitter ...), mund ta bëni këtë shumë lehtë duke klikuar te resize dhe të keni përzgjedhje të madhe të formateve të ndryshme për ndryshimin e dimensioneve. Pasi ta keni zgjedhur atë që ju përshtatet, keni mundësi ta ndryshoni drejtpërdrejt fajlin ekzistues ose të krijoni kopje. Nëse planifikoni të bëni ndryshime shtesë, ose dëshironi ta ruani atë dizajn me dimensione të caktuara dhe ta përdorni atë më vonë, ju rekomandojmë që të keni nga një fajl të veçantë për secilin format.
Versionin me pagesë mund ta provoni për 14 ditë falas. Më pas mund ta paguani për çdo përdorues në baza mujore (shuma aktuale 12,95 dollarë) ose përnjëherë për tërë vitin (shuma aktuale 119,40 dollarë).
Versioni me pagesë gjithashtu ju jep mundësinë e përpunimit shtesë të fotografive siç është, ta zëmë, opsioni i shtuar kohët e fundit për fshirjen e sfondit të fotografive, apo mundësia e bashkimit të aplikacioneve të tjera dhe e përdorimit të përmbajtjes së tyre, siç janë gif-ët nga Giphy, Google Maps, Youtube, Google dhe shumë të tjera. Në versionin me pagesë, gjithashtu fitoni video trajnime dhe tutoriale shtesë, të cilat sigurisht mund të jenë të dobishme për të përmirësuar punën tuaj me Canva. Vlen të theksohet se Canva, si shumë aplikacione të tjera, ndjek trendet dhe shpesh shton opsione të ndryshme, si për versionin me pagesë ashtu edhe për versionin falas.
Përpunimi i fotografive dhe përdorimi i videove të shkurta
Siç thamë më parë, brenda Canva-s mund të përpunoni fotografi me shumë opsione. Ekzistojnë efekte dhe filtra të ndryshëm të cilat mund t'i përdorni, por gjithashtu mund të rregulloni manualisht ngjyrat, ndriçimin ose kontrastin. Kohët e fundit është futur edhe opsioni për të fshirë sfondin e fotografive, por është në dispozicion vetëm në versionin me pagesë. Fotografitë, qoftë ato që i përdorni nga galeria e Canva-s qoftë tuajat, mund t'i fusni në formate dhe korniza të ndryshme, dhe të caktoni pozicionime të ndryshme brenda dokumentit tuaj.
Si pjesë e krijimit të zgjidhjeve tuaja të dizajnit, gjithashtu mund të përdorni një galeri me video të shkurta, të cilat mund t'ju ndihmojnë të krijoni gif apo video të shkurta. Këto mundësi janë gjithsesi më të mëdha te profili me pagesë.
Ruajtja e dokumenteve
Pasi ta keni krijuar dizajnin dhe doni ta bëni gati në pajisjen tuaj apo ta ndani menjëherë, Canva ju ofron këto opsione:
Nëse klikoni te shigjeta në këndin e sipërm në të djathtë, menjëherë te opsioni Download, ju hapen opsionet ta ruani përmbajtjen, të krijoni link për shpërndarje, që nga dizajni juaj të krijoni ndonjë prezentim, apo që dizajnin ta dërgoni përmes mail-it, dhe shumë e shumë mundësi të tjera për shpërndarje në rrjete të ndryshme sociale.
Kur klikoni te opsioni Download, ju ofrohen edhe disa mundësi shtesë siç është tipi i fajlit (jpg, png, PDF standard, PDF print, video dhe animacion), pastaj nëse keni versionin Pro ju ofrohet mundësia e sfondit transparent dhe kompresimi i fajlëve me rezolucione më të vogla.
Brennda opsionit të animacionit ju ofrohen dy mënyra të incizimit – gif dhe mp4, varësisht se për cilin rrjet social ju duhet.
Pse Canva mund të jetë e dobishme në gazetari?
Dizajni gjithmonë ka qenë aspekt i rëndësishëm në gazetari – nga krijimi i gazetave dhe revistave të shtypura, deri te përgatitja e videove për TV. Meqë sot jetojmë në epokën digjitale dhe meqë nga gazetarët gjithnjë e më shumë kërkohet të prodhojnë përmbajtje për disa platforma njëkohësisht, posedimi i disa aftësive dhe njohurive themelore në lidhje me dizajnin grafik është i paçmueshëm. Gazetaria digjitale është bërë pjesë përbërëse e këtij profesioni, pavarësisht nëse punoni në televizion, në shtyp, apo në media online. Të gjitha mediat sot i kanë profilet e tyre në rrjetet sociale, ku promovojnë përmbajtjen e tyre dhe përmes të cilave në fakt tërhiqen publikun. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që rrjetet tuaja sociale t'u përgjigjen kërkesave të shfrytëzuesve. Kemi thënë në tekst se përmbajtja vizuale mund ta rrisë lexueshmërinë tuaj deri 40-fish. Duke pasur këtë parasysh, ky aplikacion mund të ju bëjë më të lehtë e të ju japë ide të ndryshme për dizajnimin e përmbajtjes. Tani e keni mundësinë që në mënyrë grafike ta shpalosni përmbajtjen tuaj duke përdorur gif, story, dhe video të shkurta. Shfrytëzojeni këtë mundësi, shkurtoni kohën dhe krijoni zgjidhje profesionale dizajni për vetëm pesë minuta, zgjidhje këto të cilat do t'ju ndihmojnë të rritni lexueshmërinë e përmbajtjes në mediumin tuaj.