Google Meet – aplikacioni i ri i vjetër për video konferenca

18.05.2020. / 08:34

Përdorimi i aplikacioneve për video konferenca gjatë pandemisë COVID-19 është rritur përnjëherë. Duke pasur parasysh faktin se zyret janë zëvendësuar me punë nga shtëpia dhe se masat kufizuese kanë kërkuar shmangie të kontaktit fizik, shumica e takimeve të punës, por edhe konferenca të ndryshme, diskutime e video intervista kanë kaluar në sferën online. Ekzistojnë një mori aplikacionesh të cilat kanë shërbyer që këto takime të realizohen sa më mirë. Para një muaji kemi shkruar për aplikacionet Microsoft Teams, Skype, Jitsi Meet dhe Zoom, si dhe për faktin se këto aplikacione janë bërë realitet i komunikimit të punës gjatë pandemisë. Kreatorët e këtyre aplikacioneve mbase as që e kanë ëndërruar se në një kohë kaq të shkurtë përdorimi i tyre do të rritej në mënyrë të jashtëzakonshme. Kështu, aplikacioni Zoom të cilin në dhjetorin e vitit të shkuar në baza ditore e përdornin rreth 10 milionë persona, në prill arriti në 300 milionë persona në ditë. 

Duke parë potencialet dhe dobitë e ndryshme nga zhvillimi i aplikacioneve për video konferenca, Google hyn në garë me dëshirën e madhe për t'u pozicionuar sa më mirë.

Kësisoji Google bëri të ditur se shërbimi i tij për video konferenca Meet, që më parë njihej si hangouts Meet, tani është falas për të gjithë që duan ta përdorin. Aplikacionin i cili më parë ishte i orientuar drejt përdorimit afarist e edukativ, tani mund ta përdor secili që ka llogari në Google dhe mbështet takime me kohëzgjatje të pakufizuar (së paku deri në tetor, kur takimet do të kufizohen në 60 minuta) dhe deri në 100 persona. Ky është një hap i madh i cili është i menduar për t'i bërë ballë më së shumti popullaritetit të Zoom-it.

Google gjithashtu shënon rritje të kërkesës për aplikacionin Meet, me më shumë se 100 milionë pjesëmarrës në takime ditore. Natyrisht, kjo nuk është as afër shifrës të cilën e ka Zoom (me 300 milionë përdorues), por definitivisht paraqitet si alternativë e fuqishme e Zoom-it dhe aplikacioneve të tjera.

Çka ofron Google Meet?

Meet është i integruar në Gmail, ndërsa mund ta gjeni edhe jashtë chat-it.Sikurse të gjitha aplikacionet e përmendura, Meet ofron mundësi të ndryshme për realizimin sa më të mirë të video konferencave.

Aplikacioni mundëson paraqitjen e faqes për të parë pasqyrën e asaj që secili do të shohë para se të vendosni të merrni pjesë në takim. Një gjë e bukur lidhur me Google Meet-in është se me lehtësi mund ta zvogëloni cilësinë e videos suaj nëse keni probleme me internet. WiFi nuk është gjtihmonë i qëndrueshëm dhe në fund fotografia mbase nuk është aq e rëndësishme sa zëri kur flasim për takim me njerëz me të cilët aktualisht nuk mund të vendosim kontakt në jetën reale. Ky opsion definitivisht mund t'ju lehtësojë këtë telash kur lidhja e dobët e internetit ju pengon të realizoni takimin. Nëse nuk përdorni web kamerë të klasit profesional, video paraqitja gjithsesi nuk do të jetë aq me rëndësi, dhe në këtë aspekt është më mirë të koncentroheni në zërin e mirë. Andaj, ky është opsion i shkëlqyer të cilin definitisht do të mund ta shfrytëzoni. 

Meet ofron edhe titrimin e drejtpërdrejtë të takimeve. Deri më tani është provuar në anglisht, dhe funksionon. Duke qenë se edhe te ne shumë takime zhvillohen në anglisht, ky është edhe një opsion i shkëlqyer të cilin mund ta provoni. 

Gjithashtu, Meet mundëson edhe ndarjen e shpejtë dhe të lehtë të ekranit, e ky opsion është i dobishëm dhe intuitiv. Në të mund të klikoni në këndin e djathtë poshtë dhe ju ofrohen tri opsione.  Mund ta ndani krejt ekranin, por mbase nuk dëshironi që miqtë tuaj të shohin gjithçka që ndodh, dhe mund të ndani vetëm një dritare. Opsioni më interesant këtu është ai i cili mundëson ndarjen e një kartele të Chrome-it dhe asgjë më shumë. Google rekomandon ta bëni këtë nëse planifikoni të ndani ekranin, ta zëmë, me video në Youtube apo diçka tjetër që është në lëvizje. Kështu nuk keni nevojë t'i mbyllni dritaret tjera për të ndarë videon, dhe kështu do ta kurseni veten nga shfaqja e të gjitha dritareve të hapura në browser-in tuaj.

Gjithsesi do të jetë interesante të ndiqen të gjitha këto aplikacione në periudhën para nesh dhe të shihet se si do të zhvillohet gara për sa më shumë përdorues. Duhet supozuar se aplikacionet për video konferenca, përkundër zbutjes së masave kufizuese dhe mundësimit të takimeve grupore, do të vazhdojnë të zhvillohen sepse pikërisht kjo pandemi ka treguar se gjithnjë e më shumë takime, diskutime e intervista mund të realizohen në sferën online. Sigurisht se kjo praktikë do të vazhdojë kur personat e caktuar nuk do të mund të jenë të pranishëm në ndonjë konferencë, dhe kjo thjesht do të jetë edhe një mundësi për pjesëmarrje në diskutime dhe në forma të tjera të takimeve grupore. 

Ocijenite kvalitet članka