Hartëzimi i të dhënave me veglën BatchGeo

21.09.2020. / 11:27

Gazetarët shpesh hasin të dhëna të paraqitura nëpër tabela, qoftë kur flasim për rezultatet e zgjedhjeve, numrin e banorëve të ndonjë zonë, apo për çfarëdo të dhënash të tjera. Shpesh është e pamundur të inkorporohet e gjithë tabela në raport, dhe kur gazetarët raportojnë ata vendosin të marrin vetëm disa të dhëna.

Për t'i paraqitur të gjitha të dhënat që i posedoni në ndonjë tabelë mund t'ju ndihmojnë shumë veglat e ndryshme të cilat i vizualizojnë ato të dhëna. Përveç që do ta paraqesin tërë tabelën dhe të gjitha të dhënat brenda saj, veglat e tilla po ashtu mund t'i hartëzojnë ato të dhëna në mënyrë shumë kreative e vizuale.

Jennifer LeFleur, bashkëautore e librit që flet për përdorimin e hartave në gazetari, thotë se hartat janë vegël e shkëlqyer e reporterëve për analizë.

Hartat në gazetari përdoren që nga shekulli i kaluar, ndërsa ato janë vegla të shkëlqyera përmes së cilave tregohen storie për ngjarje të ndryshme.

Edhe më parë kemi shkruar për rëndësinë e hartave në gazetari, duke përmendur vegla të ndryshme që mund t'ju ndihmojnë t'i paraqitni më mirë të dhënat si My Maps Google, Arc online, Carto, Mapbox apo StoryMapJS të cilat ofrojnë mundësi të ndryshme të rrëfimtarisë përmes hapësirës gjeografike.

Vegla BatchGeo për hartëzim

Në faqen Newsroom.tools të cilën ju kemi prezentuar javën e shkuar, mund të gjeni shumë vegla të tjera me të cilat mund të krijoni harta, e sot po ju paraqesim njërën prej këtyre veglave.

BatchGeo është një prej veglave më të thjeshta për hartëzimin e të dhënave nga tabela, e njohuria e vetme që ju nevojitet është kopjimi dhe ngjitja.

Ekziston versioni falas dhe me pagesë, derisa të dhënat tuaja konfidenciale do të mund t'i ruani vetëm në versionin me pagesë ndërsa versionit falas mund t'i qaset secili. Andaj, është e rëndësishme ta keni parasysh këtë kur punoni me të dhëna të ndjeshme. Versioni pro gjithashtu ofron vizualizim të hartave të ngrohtësisë (heatmaps), shfaqje të rrugëve përmes makinës Google, përzgjedhje të avancuar dhe gjeokodim më të shpejtë si dhe opsione të privatësisë.

BatchGeo vjen me një faqe të pajisur mirë me pyetje të shpeshta dhe shpjegime themelore se si funksionon vegla në uebfaqe. Nëse nuk ju përshtatet Exceli, mund ta shkarkoni tabelën e tyre me të gjitha parametrat e vendosur, për të parë saktësisht se cilat të dhëna ju duhen për t'i bartur në BatchGeo.

Nëse përdorni versionin falas, për fat të keq nuk do të keni shumë opsione për modifikim por do t'ju duhet ta shfrytëzoni siç ju ofrohet. Mund të zgjedhni fushat e të dhënave që dëshironi t'i krahasoni në hartën tuaj.

Hartëzoni të dhënat tuaja në tri hapa.

da

Në kanalin e tyre në Youtube mund të gjeni edhe tutoriale të cilat do t'ju shpjegojnë në hollësi se çka duhet të bëni për t'i paraqitur sa më mirë të dhënat.

BatchGeo përdoret në gazetari dhe kjo vegël punon shpejt me formatet e të dhënave të zakonshme në fushën e mediave dhe gazetarisë. Këtë aplikacion e përdorin: The Times, Wired, The Sunday Times dhe shumë të tjerë. Disa prej shembujve të përdorimit të kësaj vegle në gazetari janë të paraqitura në faqet e tyre dhe mund t'i shihni edhe këtu.

Aplikacioni është në dispozicion për sistemet operative Windows, Mac dhe Linux, dhe nuk keni nevojë ta instaloni sepse e përdorni drejtpërdrejt nga secili shfletues.

Ocijenite kvalitet članka