Mapme: Vegla për krijimin e hartave interaktive

15.02.2023. / 08:20

Sot, hartat interaktive janë bërë pjesë përbërëse e gazetarisë përmes të cilave mediat i ndajnë lajmet dhe informatat me publikun e tyre. Duke përdorur harta interaktive, gazetarët mund të krijojnë përmbajtje më interesante dhe më të lehtë për t'u kuptuar. Hartat interaktive mund të përdoren për të treguar kontekstin e stories, gjë që mund t'i ndihmojë publikut të kuptojë më mirë lajmet. Përveç kësaj, hartat interaktive mund të përdoren për të shpalosur të dhëna në mënyrë më vizuale dhe më interesante. Veglat interaktive për hartëzim, si Datawrapper, Visme, Tilegrams, Flourish dhe shumë të tjera, janë bërë gjithnjë e më të popullarizuara në vitet e fundit dhe ato ofrojnë një varg opsionesh për gazetarët. Hartat interaktive mund t'ia shtojnë interesimin publikut dhe të kontribojnë për angazhim më të madh.

Sot po flasim për një vegël tjetër të tillë që mund të jetë e dobishme për ju kur krijoni harta interaktive.

Vegla Mapme për krijimin e hartave

Mapme është vegël për krijimin e hartave, e lehtë për përdorim që ju mundëson të krijoni harta të personalizuara për të ndihmuar në vizualizimin e storieve tuaja. Me këtë vegël, ju mund të shtoni me lehtësi tagë dhe pinë në hartë, mund të vizatoni pika të interesit, të krijoni rrugët e lëvizjes dhe të nxirrni në pah fushat e interesit. Po ashtu, ju mund t'i personalizoni hartat tuaja me ngjyra, etiketa dhe informata shtesë. Vegla është menduar asisoji që krijimi i hartave të bëhet më i lehtë dhe më intuitiv, dhe nuk kërkon përvojë në kodim apo dizajn.

Ju thjesht mund të importoni lokacionet e kërkuara në harta dhe të filloni t'i përdorni ato pa ndonjë kodim. Dizajni i hartës mund t'u përshtatet lehtësisht nevojave tuaja.

Mapme Story Maps ju mundëson të shtoni tituj, përshkrime të pasqyrës, të futni logo ose imazhe për të brenduar hartën tuaj dhe të personalizoni URL-në tuaj. Për çdo lokacion që futni, ju mund të përfshini emrin, të vendosni një përshkrim, të rregulloni etiketën, të vizatoni forma dhe vija në hartë, të shtoni linkë dhe përmbajtje mediale. Përmbajtja mediale është ajo që i mundëson veglës Mapme të dallohet nga burime të tjera falas, si Google My Maps. Përveç paraqitjes së imazheve, ju mund të shpërndani edhe audio dhe media interaktive, si 3D, VR dhe paraqitjet 360°.

Mapme ofron 16 dizajne të ndryshme hartash në dispozicion si dhe tre stile animacioni për të lëvizur mes lokacioneve të bashkangjitura. Lokacionet mund të organizohen edhe sipas kategorive dhe filtrave. 

Mund të shkruani përmbajtje, të ngarkoni media, të shtoni linkë dhe të kopjoni e të ngjitni informata me lehtësi. Përveç kësaj, Mapme në faqen e vet ka rubrikën "Baza e njohurive" me linkë të udhëzimeve të detajuara se si ta përdorni këtë vegël.

Dobia e veglës Mapme në gazetari

Mapme ofron një varg dobish për gazetarët. Vegla mundëson krijimin e shpejtë dhe të thjeshtë të hartave pa pasur nevojë të investoni kohë në kodim apo dizajn. Kjo e bën më të lehtë fokusimin në segmente të tjera të stories, siç është krijimi i rrëfimit dhe elementeve atraktive vizuale për të ilustruar storien. Mapme është në dispozicion në web dhe në platformat mobile, dhe kështu gazetarët mund të krijojnë dhe shpërndajnë hartat e tyre kudo që janë. Vegla mundëson shpërndarjen e thjeshtë të hartave, ku gjithashtu hyn mundësia e pasqyrimit dhe shpërndarjes së hartave me kolegët, redaktorët dhe lexuesit.

Mbase një nga përparësitë më të mëdha të kësaj vegle është se ajo është shumë e thjeshtë për përdorim dhe nuk kërkon përvojë në kodim apo dizajn. Vegla ofron dizajne dhe opsione vizuale me cilësi të lartë. Mundësia e integrimit të fotografive, por edhe të videove që riprodhohen në hartë dhe VR-së i jep publikut përmbajtje më interesante e më interaktive.

Të dhënat mund të futen me fajlë Excel apo KML, që do të thotë se ekziston mundësia e futjes së të dhënave nga Google My Map.

Përparësia është gjithsesi ëdhe fakti se vegla ofron zbritje për organizatat jofitimprurëse.

Megjithatë, disa opsione të veglës, siç është mundësia e shtimit të informatave shtesë në pika të caktuara, janë të kufizuara. Mapme nuk ka gamë të gjerë opsionesh të personalizimit, dhe kështu kreativiteti mund të kufizohet për përdoruesit. Ndryshe nga planet e tyre me pagesë, versioni provues falas i veglës Mapme nuk lejon shpërndarjen  përmes linkut të hartave të storieve që ju krijoni. Por edhe në versionin falas ju mund të merrni një kod të cilin mund ta fusni direkt në faqen tuaj. 

Mapme përfundimisht mund të shërbejë si vegël e dobishme për gazetarët të cilëve u duhet të krijojnë shpejt dhe lehtë harta për të përfunduar storiet e tyre.

Si përdoret kjo vegël

Para se të filloni të përdorni këtë vegël, duhet të krijoni një llogari. Këtë mund ta bëni duke përdorur emailin tuaj dhe duke krijuar një fjalëkalim dhe pas një minute ju do të jeni gati për të krijuar harta super interaktive.

Gjëja e parë që duhet të bëni është të klikoni për të krijuar hartën e re, e që në fakt është i vetmi opsion që shfaqet në ekranin tuaj.

Kur klikoni mbi të, do të hapet një hartë si dhe të gjitha opsionet që mund të përdorni për të ndërtuar të dhënat tuaja.

Këto janë opsionet në dispozicion, megjithëse shumica e tyre nuk funksionojnë në versionin falas:

mapme

Siç mund ta shihni në fotografinë më sipër, në versionin falas ju mund të shtoni edhe logon tuaj, titullin, dhe përshkrimin e çdo vendi. Për çdo lokacion mund të shtoni imazh, audio, video, dokument pdf, apo të ngjitni informata të caktuara.  Në versionin falas ka vetëm dy lloje hartash në dispozicion: harta me rrugë dhe harta me natyrë (streets and nature).

Ne kemi krijuar një hartë të thjeshtë me dy lokacione për të parë se si funksionon procesi i krijimit, dhe ky është rezultati. Për këtë na janë dashur dy-tre minuta.

Në përgjithësi, megjithëse versioni falas është i kufizuar ai mund t’ju shërbejë që informatat e caktuara të paraqiten në një hartë interaktive.

Çmimet

Mampe ofron versionin provues falas me tri plane, por ato vijnë me funksione të kufizuara. Ekzistojnë katër plane që ju mund t'i blini.

Plani Story kushton 24 dollarë në muaj për krijimin e 1 harte, dhe 40 dollarë në muaj për krijimin e 10 hartave.

Plani Pro sillet nga 49 deri në 90 dollarë në muaj, derisa plani Pro+ sillet nga 99 deri në 180 dollarë, varësisht nga njëra prej 10 storieve të ofruara, me opsione më të avancuara në krahasim me planin Story.

Mapme ofron zbritje të veçanta për organizatat jofitimprurëse dhe edukative, si dhe paketa me më shumë harta të dizajnuara për të qenë të leverdishme, por për këtë do të duhet t'i kontaktoni për të krijuar oferta për ju.

Ocijenite kvalitet članka