Matomo: Alternativë e Google Analytics që mbron privatësinë e vizitorëve

26.01.2022. / 13:02
Share
Web analitika
Canva mashup
Web analitika

Faqja austriake NetDoktor funksionon në të njëjtin parim si miliona faqe të tjera në botë. Kur hyni në të, shkarkohet një kek (cookie) i Google Analytics në kompjuterin tuaj dhe gjurmon atë që bëni gjatë vizitës suaj. Ky gjurmim mund të përfshijë faqet që lexoni, sa kohë kaloni dhe informata rreth pajisjes nga e cila po i qaseni faqes. Në fund, Google i ndan një numër identifikimi shfletuesit tuaj që të dhënat të mund të lidhen me të dhënat nga burime të tjera.

Asnjë nga këto nuk është e pazakontë, dhe megjithëse Google Analytics në parim nuk është në përputhje me GDPR-në, me disa rregullime në faqe bëhet diçka e tillë. Por, ajo që ndodh në rastin e çdo faqeje që mbledh të dhëna është se të gjitha të dhënat personale të mbledhura shkojnë në serverët e vendosur në Shtetet e Bashkuara. Dërgimi i të dhënave personale përtej Atlantikut është problem i madh për rregullatorët evropianë dhe NetDoctor tani është në mes të një beteje midis ligjeve amerikane dhe rregulloreve të forta evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Kah fundi i vitit 2021 rregullatori austriak i të dhënave Datenschutzbehörde konstatoi se NetDoktor  ka shkelur dispozitat e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) duke përdorur Google Analytics. Ky rregullator tha në vendimin e tij se të dhënat e dërguara në serverë nuk mbrohen mjaftueshëm nga qasja e mundshme e shërbimeve të inteligjencës amerikane. Pak ditë para këtij vendimi, Autoriteti Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPS) mori një vendim të ngjashëm në rastin e faqes së testimit për COVID-19. të Parlamentit Evropian.

Këto janë dy rastet e para qëkur nga korriku i vitit 2020 me vendim gjyqësor u hodh poshtë marrëveshja e parimeve për shkëmbimin e të dhënave mes SHBA-së dhe BE-së, e njohur si Privacy Shield. Ndërsa vendimi në rastin e NetDoctor vlen vetëm për Austrinë, ka shumë të ngjarë që agjenci të ngjashme në vendet e tjera evropiane të marrin vendime të ngjashme. Meqë të gjitha vendet e Ballkanit përpiqen të harmonizojnë ligjet e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale me rregulloren evropiane, është realiste të pritet që vendime të tilla të kenë pasoja edhe në hapësirat tona.

Nga ana tjetër, pavarësisht se vendime të tilla do të ndikojnë në legjislacionin e shteteve ballkanike, çdo medium që kujdeset për publikun dhe komunitetin e tyre duhet të vendosë se në çfarë kushtesh dhe si të mbledhë të dhëna analitike të përdorimit të faqeve të tyre. Privatësia është bërë e rëndësishme për shumicën e përdoruesve, dhe për shkak të mospërputhjes së saj me GDPR-në, Google Analytics nuk mund të mbledhë më të dhëna të plota për publikun tonë. Prandaj, mbase ka ardhur koha të fillojmë të mendojmë për një alternativë, veçanërisht nëse duam të shihemi si medium që ruan gjurmët e anëtarëve të komunitetit të vet.

Shumë alternativa janë në përputhje me rregulloret GDPR, por ato gjithashtu kushtojnë shumë para që shumica e mediave nuk i kanë. Prandaj, ne do t'ju sugjerojmë vetëm njërën që nuk është vetëm falas dhe e hapur, por edhe ju mundëson të importoni të dhëna historike nga Google Analytics. Por, është e rëndësishme të theksohet se kjo alternativë nuk vjen plotësisht pa kosto..

Matomo

Izvor: Matomo.org
Burimi: Matomo.org

Matomo është softuer i analitikës në internet me burim të hapur që në vitin 2007, kur u lansua, njihej me emrin Piwik dhe PHPMyVisites. Përveç që vjen me licencën  GPL, ai vendos privatësinë e përdoruesve tuaj në radhë të parë dhe i mbron ata nga kompanitë reklamuese. Sipas tyre, aktualisht përdoret nga 1,4 milionë faqe interneti dhe aplikacione në mbi 90 vende të botës.

Analitika të cilën e ofron Matomo është më e avancuar se ajo e Google dhe ndryshe nga ajo, Matomo nuk bën kampionim të të dhënave, kështu që gjithçka që shihni është pasqyrë e plotë e vizitës në faqen tuaj. Mjafton të thuhet se Matomo funksionon po aq mirë sa Google Analytics, por me dallimin se është program i pavarur që mbron privatësinë e përdoruesve tuaj.

Matomo vjen në dy variante të pavarura (në serverin tuaj) dhe në cloud. Megjithëse varianti i pavarur në formën e tij origjinale është falas për t'u instaluar në infrastrukturën e serverit tuaj dhe mirëmbajtja megjithatë kërkon njohuri teknike, në këtë rast do t'ju duhet të paguani dikë për të instaluar dhe mirëmbajtur gjithçka në vend të vetë softuerit. Po ashtu, disa funksione të avancuara në formë të shtesave që ofron Matomo nuk ofrohen falas dhe paguhen çdo vit.

Nga ana tjetër, versioni cloud paguhet në varësi të numrit të vizitave që ka faqja juaj, dhe për mediat më të vogla që kanë deri në 1 milion vizita në muaj do të kushtonte mesatarisht 160 euro. Vlen të theksohet se me cloud ju merrni të gjitha opsionet e avancuara falas, por ruajtja e të dhënave të papërpunuara ndryshe nga versioni i pavarur  kufizohet në 24 muaj. Informatat më të hollësishme lidhur me çmimet mund t'i gjeni në faqen e tyre.

Çfarë është Matomo kundrejt Google analitikës

Ajo që Google analitikën e bën tërheqëse kundrejt Matomos është lehtësia e instalimit. Google Analytics në thelb është gjithashtu shërbim në dukje falas që nuk kërkon shumë njohuri teknike për ta vendosur e për ta menaxhuar. Themi në dukje sepse ju në fakt paguani qasjen në të dhënat duke i ndarë ato me Googlein i cili i përdor për qëllime të tjera për të realizuar profit. Nga ana tjetër, Matomo, siç e kemi përmendur tashmë, kërkon njohuri teknike për versionin e pavarur dhe ndonjëherë është më i vështirë për t'u instaluar në serverë të caktuar.

Matomo mbron të dhënat e vizitorëve tuaj dhe analizon të gjithë vizitorët, ndryshe nga Google Analytics, i cili e bën këtë në bazë të mostrës. Nëse mund ta përballoni financiarisht, mund të përdorni edhe disa nga opsionet e avancuara që ofron Matomo. Matomo në cloud mban informata për përdoruesit tuaj në serverët brenda BE-së. Më e rëndësishmja është se Matomo është në përputhje me GDPR-në dhe për këtë arsye përdoruesit e faqes suaj nuk duhet të plotësojnë formular pëlqimi për të ndarë të dhënat çdo herë para se të fillojnë të përdorin faqen tuaj. Matomo gjithashtu ofron mundësinë për të transferuar të dhënat nga Google Analytics që të mos humbni të dhënat tuaja historike.

Fakt është se Matomo nuk është për të gjithë dhe pavarësisht vendimeve të rregullatorëve të BE-së për mbrojtjen e të dhënave, nuk ka gjasa që të gjitha mediat të ndalojnë papritmas përdorimin e Google Analytics, veçanërisht për shkak të shërbimeve shtesë si Google Ads. Megjithatë, nëse jeni medium i përkushtuar për mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve tuaj dhe që ka ekspertizën teknike për të menaxhuar me një zgjidhje të tillë, Matomo është alternativë po aq e fuqishme sa Google Analytics. Për pak më shumë para, ju e merrni atë mbështetje në cloud, gjë që e bën më të lehtë për zbatim. Matomo gjithashtu ka një komunitet të zhvilluar që është gjithmonë i gatshëm të ofrojë mbështetje.

Ocijenite kvalitet članka