Platformat digjitale që ofrojnë një sërë veglash të ndryshme mund të jenë tepër të dobishme për gazetarët, duke u ndihmuar atyre të mbledhin informata më shpejt dhe me efikasitet më të madh dhe të krijojnë storie interesante. Ato u ofrojnë gazetarëve mundësinë për të përmirësuar paraqitjen e tyre mediale përmes përdorimit të veglave të personalizuara dhe të thjeshta për dizajn, të dhëna, video, animacion e kështu me radhë. Veglat e tilla ndihmojnë në krijimin e storieve me cilësi të lartë.
Kur keni një platformë që ofron të gjitha këto vegla në një vend, kjo ua bën më të lehtë gazetarëve qasjen, kërkimin dhe kursimin e kohës së vlefshme.
Gazetarët sot mund të përdorin shumë vegla falas ose me çmime të zbritura.
Ç'është platforma ClickSaver
ClickSaver është një platformë që u ofron organizatave mediale, startupëve dhe individëve qasje në versione falas ose me zbritje të softuerit dhe veglave në treg. Kjo platformë është një bazë veglash për nevoja të ndryshme, qoftë nëse kërkoni vegla marketingu, softuer dizajni apo zgjidhje pa kod. Ajo ofron mbi 200 programe globale dhe lokale plotësisht falas ose me çmime të zbritura.
Duke ofruar një gamë të gjerë veglash, zbritjesh dhe përmbajtjesh edukative, ClickSaver u ndihmon organizatave mediale, startupëve dhe individëve të arrijnë rezultate maksimale duke u mbështetur në një sërë veglash që do të lehtësojnë veprimtarinë e tyre.
Në platformë mund të paraqiteni lehtë – mjafton të shkruani emrin, emailin, të jepni një fjalëkalim dhe për pak sekonda futeni në platformë.
Në fillim mund të zgjidhni nëse jeni startup, organizatë mediale apo individ, që platforma të rendit veglat që ju ofrohen.
Me cilindo nga këto tre lloje që të zgjidhni, do të keni mundësinë t'i ngushtoni opsionet në të njëjtat kategori, përkatësisht: analitikë, pa kod, shitje, komunikim me klientët, shëndet mendor, dizajn dhe rrjetet sociale.
Oferta e veglave ndahet në tre segmente: veglat falas, freemium dhe veglat me zbritje.
Kur zgjidhni kategorinë dhe paketën e duhur, do të renditen veglat që ofrohen.
Pas aplikimit të filtrit të duhur, mund të shfletoni listën e veglave dhe të klikoni mbi cilëndo që ju intereson. Mund të mësoni më shumë për çdo produkt duke klikuar mbi të. Në këtë mënyrë, do të mësoni më shumë rreth veglës, ndërsa me një klikim do të shkoni në faqen e produktit për ta provuar ose për ta kërkuar me zbritje.
Për të përdorur versionin e produktit me zbritje, thjesht klikoni mbi produkt dhe ndiqni udhëzimet për të aplikuar për zbritje. Pasi zbritja juaj të miratohet, ju mund ta përdorni produktin me tarifën e zbritur.
Platforma ofron edhe udhëzues dhe mbështetje përmes chatit për t'ju ndihmuar të zgjidhni veglën e duhur për nevojat tuaja.
Por platforma ofron edhe një komunitet profesionistësh që janë të hapur për të mësuar dhe provuar gjëra të reja.
Duket se ky është vend i mrekullueshëm për të gjithë gazetarët që të mësojnë më shumë rreth veglave që mund t'ua lehtësojnë punën e përditshme dhe në të njëjtën kohë të përfitojnë disa zbritje për disa vegla për të cilat do të paguanit shtrenjtë nëse do t'i blinit drejtpërdrejt.