Trint: Vegla me të cilën do të konvertoni të folurit në tekst shpejt dhe lehtë

26.01.2023. / 11:47

 

Trinti është vegël e automatizuar transkriptimi që transkripton shpejt dhe saktë audion ose videon në tekst. Mbështetet në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e njohjes së të folurit për të krijuar  transkriptim mjaft preciz për një kohë shumë të shpejtë. Trinti gjithashtu mbështet transkriptimin shumëgjuhësh, që ju mundëson të punoni me gjuhë të tjera përveç anglishtes.

Vegla gjithashtu ofron redaktimin dhe pastrimin e audios, si dhe integrimin me aplikacionet e popullarizuara si Dropbox, Google Drive dhe YouTube nga ku mund të tërhiqni faljët tuaj. Vegla mund të jetë zgjidhje e shkëlqyer për gazetarët, podcastistët dhe këdo që dëshiron të kursejë kohë në procesin e transkriptimit.

Sipas informatave në faqen e tyre, kjo vegël përdoret nga mediat në botë si The Washington Post, The New York Times, Vice dhe Der Spiegel.

Vegla të këtila për konvertimin e të të folurit në tekst mund të revolucionarizojnë procesin e gazetarisë duke lehtësuar dhe përshpejtuar transkriptimin e intervistave.

Trinti mund të përdoret për të konvertuar me shpejtësi audiot dhe videot në tekst, dhe kështu mund t'u japë gazetarëve më shumë kohë për t'u fokusuar në pjesë të tjera të punës së tyre. Saktësia e transkriptimit të cilin e mbështet inteligjenca artificiale është e pakrahasueshme dhe u ofron përdoruesve kërkimin e thjeshtë të klipeve për fraza apo fjalë të caktuara, e kjo e lehtëson gjetjen e citateve dhe burimeve relevante. Përveç kësaj, vegla automatikisht mund të gjenerojë transkriptime me shenja kohore për video, dhe kjo lehtëson gjetjen dhe citimin e burimeve relevante.

Si përdoret kjo vegël?

Vegla është e thjeshtë për përdorim sepse nga përdoruesit kërkon vetëm që të shtojnë fajlët e tyre, të zgjedhin gjuhën dhe cilësimet e transkriptimit të tyre. Po ashtu, vegla ka të integruar një redaktor i cili përdoruesve u mundëson prerjen e klipeve dhe kombinimin e tyre nga burime të ndryshme. Teknologjia e avancuar e Trintit për kthimin e të folurit në tekst përdor algoritme të mbështetura në inteligjencën artificiale për zbulimin e zërit të çdo folësi ashtu që automatikisht e bart në paragrafimin tjetër, gjeneron automatikisht titra nga audio fajlët dhe aplikon kontrolle të sigurimit të cilësisë.

Vegla u mundëson gazetarëve bashkëpunim të thjeshtë me anëtarë të tjerë të ekipit të tyre, duke u mundësuar shpërndarjen, komentimin dhe përpunimin e transkriptimeve në kohë reale.

Para se të filloni të përdorni këtë vegël, duhet të regjistroheni përmes emailit tuaj. Për disa minuta do të futeni brenda veglës dhe do të mund t'ia filloni punës.

trint

Për të shtuar audion ose videon tuaj që dëshironi të transkriptoni, klikoni në Upload dhe shtoni fajlin nga pajisja juaj ose hapësira cloud.

Pasi të ngarkohet, do t'ju hapet një faqe në të cilën duhet të zgjidhni gjuhën me të cilën flitet në audio apo video. Aktualisht është në dispozicion vetëm gjuha kroate nga gjuhët që fliten në Ballkanin Perëndimor.

Pasi të zgjidhni gjuhën, klikoni në Transcribing dhe prisni disa minuta që incizimi juaj të transkriptohet. Kur procesi të përfundojë, do të ju vijë një njoftim me email se incizimi juaj është gati.

Kur klikoni në linkun që ju vjen me postë apo drejtpërdrejt në incizimin brenda interfaceit, do t’ju hapet një dritare e re ku do të jetë në dispozicion transkriptimi i incizimit tuaj, audioja ose videoja juaj që ju të mund të krahasoni saktësinë, si dhe një numër opsionesh që ju mund t'i përdorni.

trint

Pasi ta keni transkriptuar incizimin, mund ta korrigjoni manualisht tekstin, ta përsosni atë nëse nuk është transkriptuar mjaft mirë. Po ashtu, atë mund ta përktheni në një gjuhë tjetër dhe vegla, ndër të tjera, ofron përkthim në shqip, boshnjakisht dhe serbisht.

Po ashtu, tekstin e transkriptuar mund ta ktheni në titra me minutazhë të automatizuar.

via GIPHY

Pasi të keni përshtatur tekstin apo titrat e transkriptuara, klikoni në Export për të ruajtur fajlin tuaj.

Tekstin mund ta ruani në formate të ndryshme, siç është dokumenti Word apo formati CSV. Titrat mund t'i ruani në formatet srt, .vtt, .txt dhe .stl, ndërsa për video mund të zgjidhni formatet mp4, edl, xml dhe txt. Ky fleksibilitet e bën veglën e Trintos së të folurit në tekst në një vegël të shkëlqyer për gazetarët të cilëve u duhet t'i rishkruajnë shpejt dhe saktë audiot dhe videot fajlët.

Në përgjithësi, vegla duket mjet e dobishme e cila mund të ndihmojë në punët që shpesh u marrin shumë kohë gazetarëve. Mangësia është se ende nuk ekzistojnë të gjitha gjuhët e hapësirës sonë gjuhësore, por ndërsa sot avancojnë shpejt të gjitha veglat, besojmë se edhe kjo vegël së shpejti do të mund të ofrojë edhe gjuhë të tjera.

Çmimet

Trinti ofron plane fleksibile abonimi për individët dhe ekipet. Paketa Starter kushton 48 dollarë në muaj dhe është e menduar për individët dhe ekipet që kanë nevojë për transkriptim të deri në shtatë incizimeve në muaj. Paketa Advanced kushton 60 dollarë në muaj dhe ofron transkriptim të pakufizuar. Plani Enterprise ofron çmime të përshtatura dhe u mundëson përdoruesve të shfrytëzojnë një varg opsionesh të avancuara. Përveç kësaj, Trinti ofron një periudhë falas testimi për të provuar veçoritë e veglave përpara se të vendosni për një plan abonimi. Versioni testues, falas zgjat gjashtë ditë dhe aty mund të bëni tri transkriptime. Me planin falas, përdoruesit mund t'u qasen opsioneve bazike me kufizimin deri në 5 orë të audio transkriptimeve. Të gjitha paketat ofrojnë mundësinë e shpërndarjes me ekipin, dhe kështu, ta zëmë, me paketën Advanced mund të keni ekip prej 15 personash, që do të ishte e mjaftueshme për nevojat e redaksisë, ndërsa gazetarëve do t'i kursente mjaft kohë për transkriptimin e deklaratave nga audio dhe video incizimet. 

Ocijenite kvalitet članka