Vegla për rrëfime online pa kodim: Shorthand

14.06.2022. / 15:35
Share
Shorthand.com
Shorthand.com
Shorthand.com

Dihet tashmë se përdoruesit bashkëkohorë të përmbajtjes mediale online parapëlqejnë multimedian. Që storia të tërheqë më shumë vëmendje nuk mjafton të kemi vetëm tekst, video apo fotografi të inkorporuar brenda përmbajtjes, por nevojitet që përmbajtja të jetë interaktive. Po kështu, dihet se gazetarët janë të vetëdijshëm për këtë nevojë dhe përpiqen që storiet e tyre t'i pasurojnë me sa më shumë elemente. Por, ajo që i ndalon më së shumti është se gjithmonë ekzistojnë afatet dhe nevoja për të mësuar më shumë rreth kodimit, për të aplikuar disa gjëra. Për fat të mirë, ekzistojnë shumë vegla të cilat e bëjnë më të lehtë këtë punë. Pasi ju kemi shpalosur disa vegla si Vismee, Sway i Pageflow, sot po ju paraqesim edhe një vegël e cila ju mundëson të tregoni storiet tuaja të rëndësishme në mënyrë më të lehtë dhe t'ua shpalosni ato publikut në mënyrë të duhur. 

Shorthand

Shorthand është një vegël tjetër e cila u mundëson gazetarëve që pa njohuri të kodimit t'i përgatisin më mirë storiet e tyre online duke u lënë lexuesve përshtypjen e veçantisë së stories që ata duan ta tregojnë.  Pasi të shkoni në faqen e tyre ku mund të shihni një varg shembujsh interesantë, duke klikuar në meny do të gjeni opsionin për regjistrimin e llogarisë suaj. Regjistrimi është falas dhe i mjaftueshëm për të filluar testimin e kësaj vegle me tri storie të cllat dëshironi t'i tregoni. Elementi shtesë është që në storie mund t’i përfshini edhe kolegët e tjerë, si pjesë e ekipit, që t'ju ndihmojnë me dizajn, shtojca, elemente vizuale, etj.

Hapësira e punës

radna ploča Shorthand.com

Pasi të futeni në hapësirën e punës pas regjistrimit dhe pas konfirmimit të adresës me të cilën jeni regjistruar, do t'ju vijë njoftimi për numrin e storieve që mund t'i publikoni me llogarinë falas. Menjëherë në vazhdim, zakonisht në mes të ekranit, do të keni dy opsione: opsioni i parë është për krijimin e stories së re (Blank story), dhe i dyti për krijimin e përmbledhjes së storieve (Story collection). 

Duke klikuar në opsionin e krijimit të stories së re do t'ju ofrohen 18 shabllonë të cilët, varësisht nga ajo që dëshironi të tregoni, do t'ju mundësojnë të menaxhoni me elemente të ndryshme vizuale duke pasuruar storien tuaj. Edhe pse emrat e shabllonëve nganjëherë janë të paqartë, si Tips&Tricks, Gift guide e kështu me radhë, përshkrimet ju lehtësojnë të kuptoni mundësinë e shabllonit. Po ashtu, është shumë e dobishme që është mundësuar pasqyrimi (preview) i çdo shablloni që kështu të kuptoni qëllimin e tij. Vlen të përmendet se shabllonët janë aty për të shërbyer vetëm si pikënisje dhe frymëzim për storien tuaj. Vetëm nëse klikoni sërish në opsionin Blank story do t'ju paraqitet vetëm ballina me hapësirën e punës e cila ju ofron shumë, edhe me versionin falas. 

Template selection

Kur zgjidhni cilindo nga shabllonët apo vendosni të filloni storien tuaj nga zeroja, do t'ju shfaqet hapësira e punës e cila i ngjan shumicës së hapësirave të punës së veglave të cilat tashmë ju kemi shpalosur, e atyre që i njohin më pak këto vegla kjo hapësirë do t'ua kujtojë PowerPointin me opsionet e thjeshtësuara. 

Krijimi i stories në Shorthand

Menjëherë në krye gjendet shiriti i thjeshtë i veglave ku gjenden opsionet për undo dhe redo, parametrat për storien ku mund të fusni meta të dhëna siç është titulli, përshkrimi dhe autorët, si dhe disa elemente të tjera siç është kodi për Google Analytics që ju mundëson të përcillni suksesin e stories suaj. Pranë atij opsioni gjendet butoni me emrin Social në të cilin mund të krijoni parametra shtesë se si do të paraqitet artikulli në publikime në rrjetet sociale (Facebook dhe Twitter) dhe disa parametra të tjerë siç është dukja e butonëve për këto rrjete sociale si dhe opsioni për shpërndarje në paraqitjen mobile të stories suaj multimediale. Dy opsionet shtesë janë CSS dhe JS të cilat janë të mbyllura në versionin falas, ndërsa ju mundësojnë që sa më mirë ta përshtatni dukjen e stories suaj me brendin e mediumit tuaj. Ato ju mundësojnë juve apo anëtarëve të ekipit tuaj të cilët merren me dizajn që storien tuaj ta bëjnë edhe më unike, por edhe që me përdorimin e CSS-së të shtojnë disa elemente që janë unike për mediumin tuaj. Po ashtu, përmes këtij opsioni mund të shtoni mundësinë e shfaqjes së reklamave, por edhe të krijimit të llojeve të përshtatura të përmbajtjes dhe temave. Në versionin falas mund të zgjidhni deri në dy tema. Në vazhdim të shiritit të punës keni edhe mundësinë t'i jepni të drejta ndonjërit prej anëtarëve të ekipit, të shpërndani pasqyrimin e stories dhe të shihni se si duket storia. Në fund, natyrisht, është butoni për publikimin e stories. 

Story creation Shorthand

Si të publikoni storien në Shorthand 

Pasi të keni përfunduar krijimin e stories suaj të re me të cilën jeni fokusuar në detajet e ndonjë fotoje, ose nga një varg fotografish keni krijuar ndjesinë e lëvizjes nëpër hapësirë, ose keni treguar një rrugë në hartë nëpër rrugët e ndonjë qyteti, vini deri në momentin kur doni të publikoni storien tuaj. 
Kini parasysh se storien nuk do të mund ta publkoni pa e konfirmuar adresën tuaj. Ky konfirmim i adresës ndoshta bëhet sfidë për ju, siç ka qenë edhe për ne, por nuk është e pakapërcyeshme. Arsyeja për këtë sfidë është se kodi të cilin Shorthandi jua dërgon në adresën tuaj elektronike pas një kohe të caktuar skadon. Prandaj, nëse menjëherë pas pranimit nuk e keni konfirmuar adresën tuaj, duhet të kërkoni t'ju dërgohet sërish mesazhi me ç'rast do ta konfirmoni adresën me sukses dhe do të mund të vazhdoni me publikimin e stories suaj. 
Duke klikuar në butonin PUBLISH do t'ju jepen dy opsione për publikim. I pari është në nëndomenin shorthandstories.com, opsion i cili do t'ju përshtatet nëse ju apo mediumi juaj nuk keni faqe të internetit. Procesi i publikimit të stories në këtë mënyrë është shumë i thjeshtë dhe vetëm duhet të verifikoni nëse ky nëndomen është në dispozicion dhe të ndiqni udhëzimet të cliat shfaqen në ekran. Opsioni tjetër është publikimi në nëndomenin e mediumit tuaj. Në këtë rast, ju ose administratori juaj do të duhet të keni mundësinë e rregullimit të parametrave CNAME dhe DNS në interfacein e regjistrit të domenit tuaj (kompania tek e cila e keni regjistruar domenin).  Ky proces është pak më i ndërlikuar dhe në këtë rast do t'ju duhet ndihma e administratorit tuaj. 
Duke klikuar në shigjetën pranë butonit PUBLISH, ju ofrohet mundësia të krijoni baner të cilin mund ta publikoni në faqen tuaj dhe kështu t'i ftoni përdoruesit ta shohin storien tuaj. 
Pavarësisht disa kufizimeve të avancuara, edhe me këtë version falas mund të bëni shumë për të personaliuar storien tuaj. Ajo që nuk mund të bëni është të ndryshoni fontin e shkronjave, ku mund të përdorni vetëm dy fonte, të shtoni temën tuaj premium, e kështu me radhë. Megjithatë, edhe në këtë version falas ju ofrohen shumë mundësi për eksperimentim për të parë nëse ia vlen të investoni më shumë para në këtë produkt me mundësinë e brendimit të temave ekzistuese me logon tuaj. 

Çmimi dhe planet me pagesë

Ekzistojnë dy plane me pagesë: Pro dhe Premium. Plani pro ju ofron një temë të brenduar të cilën mund ta përshtatni me dukjen e mediumit tuaj, qasje në veglat zhvilluese (CSS, JS, API) dhe, ç'është më e rëndësishmja, opsionin e integrimit të stories suaj në faqen tuaj. Plani premium përtej kësaj ofron edhe mundësinë e publikimit në ndonjë server tjetër, regjistrimin me adresat e mediumit tuaj (Single sign on apo SSO), dhe mbështetjen premium. 

Çmimet nuk janë publike, dhe për të bërë avancimin e planit duhet t'i kontaktoni drejtpërdrejt përmes një formulari. Megjithatë, ajo që dimë është se ofrojnë zbritje të mëdha për organizata jofitimprurëse dhe për media varësisht nga vendndodhja e tyre. 

Edhe pse kjo është një vegël më shumë që ofron mundësi të ngjashme, ne konsiderojmë se në versionin falas ofrojnë shumë më shumë se disa vegla të tjera, sidomos në kontekstin e brendimit të përmbajtjes suaj.  Po ashtu, ofrohen shabllonë mjaft intuitivë që të mund të prodhoni storien e parë multimediale me shumë lehtësi, e cila është e përshtatur për t'u parë në pajisjet mobile dhe në kompjuter – megjithëse kjo tash e një kohë është bërë standard për vegla të këtilla. Një nga përparësitë që rrallëherë ofron ndonjë vegël si kjo në versionin falas është mundësia e shtimit të numrit të pakufizuar të anëtarëve të ekipit me të cilët mund të zhvilloni storien së bashku. Në fund dëshirojmë të theksojmë se, si në rastin e veglave të mëparshme, përveç redaksisë kjo vegël mund t'i shërbejë edhe ekipit të marketingut si dhe ekipeve të tjera afariste në mediumin tuaj. Ju rekomandojmë ta testoni këtë vegël, dhe ju mirëpresim të dëgjojmë mendimet tuaja dhe të shohim storiet tuaja të cilat i keni krijuar me këtë vegël. 
 

Ocijenite kvalitet članka