

Që nga fillet e gazetarisë dhe të mediave ka ekzistuar edhe nevoja që disa informacione për lexuesit / shikuesit të vizualizohen përmes hartave gjeografike. Në ditët tona përdoren harta digjitale, por ato shpesh kërkojnë licenca të kushtueshme për versionet e tyre me rezolucion të lartë.
Para 15 vitesh Google ka lansuar produktin e vet Maps, dhe me këtë ka revolucionarizuar zhvillimin e produkteve të ndryshme të cilat kërkonin pikërisht këto lloj informacionesh. Nga Maps pastaj ka lindur produkti i pavarur Google Earth i cili na mundëson shtyp me rezolucion të lartë, xhirim të videove, e më vonë edhe të vizitojmë planete të tjera në Sistemin Diellor. Produkti që sot po ju paraqesim është avancim i mundësive të Google Earth që quhet Google Earth Studio.
Çka është Google Earth Studio?
Google Earth Studio është aplikacion i internetit i cili mundëson krijimin e animacioneve nga xhirimet satelitore të Google Earth dhe paraqitjen 3D të lokacioneve gjeografike. Ndryshe nga aplikacionet e lartpërmendura, Google Earth Studio është avancim i veglës Google Earth e cila ju mundëson të krijoni animacione të thjeshta 3D dhe 2D të lokacioneve gjeografike dhe të objekteve të spikatura në Tokë, dhe që ato t'i nxjerrni për t'i përpunuar tutje me programe siç është Adobe After Effects.
Karakteristikat kryesore të kësaj zgjidhjeje sipas prodhuesit por edhe sipas vlerësimit tonë të pavarur janë:
- Aplikacioni përdor animacionin keyframe si dhe vegla të tjera standarde për animacion.
- Pikënisja e projektit ofron 5 shabllone nga të cilat mund të vazhdoni tutje.
- Mund të animoni atrinbute të rregullueshme siç është pozicioni i Diellit, kamerës etj.
- Eksportimi 3D i kamerës në Adobe After Effects ju mundëson të shtoni pika dhe shenja në hartë, në fazën e postproduksionit.
Si përdoret Google Earth Studio?
Për të filluar me përdorimin e Google Earth Studio, para së gjithash duhet të qaseni me llogarinë tuaj në Google. Pastaj duhet ta plotësoni një formular me kërkesën për versionin provues. Por, nëse jeni gazetar, hulumtues, punoni në fushën e arsimit apo të sektorit jofitimprurës, lajmi i mirë është se Google Earth Studio për këta përdorues është falas. Gjatë aplikimit gjithsesi duhet ta theksoni këtë fakt dhe shumë shpejt do të merrni përgjigje në adresën tuaj në Google. Megjithatë, do të nevojitet ta verifikoni identitetin tuaj, e kjo bëhet më së miri me adresën elektronike zyrtare.
Pasi t'ju jenë dhënë të dhënat për qasje, do t'ju jepen edhe udhëzime të sakta lidhur me qasjen. Kjo nënkupton përdorimin e Google Chrome-it ku jeni kyçur me po atë llogari në Google me të cilën keni kërkuar qasje. Hapni Google Chrome dhe shkoni te https://earth.google.com/studio.
Pas verifikimit të identitetit tuaj, fotografia e parë të cilin do ta shihni do t'ju ofrojë dy opsione të dukshme: hapjen e projektit të ri me opsion shtesë të shablloneve dhe hapjen e projektit që e keni filluar më parë. Në pjesën e sipërme të ekranit tashmë do të keni opsione të menusë standarde, me opsione të cilat do të ju duhen kur të filloni punën me projekt. Në anën e djathtë të ekranit gjendet edhe butoni i cili do ta hapë formularin ku mund të shtoni ndonjë koment apo të kërkoni ndihmë për ndonjë problem eventual.
Duke klikuar në butonin për projekt të ri, ju hapet dritarja e re në të cilën vetë mund t;i rregulloni pozicionet e kamerës, pikat e fokusit si dhe animacionet midis tyre e kjo kërkon njohuri elementare të animacioneve keyframe. Si alternativë e kësaj qasjeje, duke klikuar në shigjetën nga ana e djathtë e butonit për hapjen e projektit të ri ju ofrohen katër shabllone me të cilat në një proces me asistencë mund t;i krijoni animimet tuaja të para, e pas kësaj t'i rregulloni tutje nëse ka nevojë. Katër shabllonet janë: Zoom to, Orbit, Point to Point dhe Spiral. Emrat e këtyre shablloneve janë mjaft intuitivë, por për ata që dijnë më pak anglisht animacionet mbi emrat shpjegojnë tutje mundësitë e tyre.
Duke hapur projektin e ri, me dhe pa përdorimin e shablloneve, do të ju hapet dritarja e cila ju ofron këto opsione:
Menu me disa opsione:
- File menu ofron opsione të rëndomta të hapjes së projektit të ri, hapjes së projektit ekzitues, importit të të dhënave si të dhënat gjeografike KML, eksportit të projektit apo vetëm 3D të dhëna të nevojshme për animacion të vektorit, rregullimit të projektit, preferencave të punës dhe në fund opsionin e daljes nga web aplikacioni.
- Edit menu i cili me vetë emrin tregon se ofron opsione të rregullimit si lëvizja për një hap mbrapa apo përpara, kopjimi dhe ngjitja si dhe përzgjedhja e elementeve.
- View menu për opsione shtesë të dukjes
- Overlays menu
- Animation menu për opsione shtesë të animacionit si dhe për eksportin përfundimtar dhe shkarkimin në kompjuterin tuaj.
- Help menu përmban udhëzime për dokumente të ndryshme që mund t'ju ndihmojnë nëse ballafaqoheni me ndonjë pengesë gjatë punës. Për fat të keq, dokumentet nuk janë në dispozicion në njërën prej tri gjuhëve që fliten në Ballkan.
Rreshti me vegla:
- Për kërkimin e lokacioneve gjeografike dhe të pikave fillestare dhe përfundimtare.
- Shndrrimi i paraqitjes së riprodhimit të animacionit në madhësinë e tij të plotë
- Përsëritja e pandalshme të animacionit
- Opsioni për kontrollimin e animacionit me kthim mbrapa, lëvizje, përshpejtim, si dhe informacione në cilin frame gjendemi momentalisht.
- Ruajtja e frame-it aktual në formë të fotografisë
- Butoni render me ngjyrë të kuqe të dallueshme, me të cilin e nisim procesin e paketimit dhe të marrjes së të gjitha fajlëve të nevojshëm.
- Butoni feedback të cilin tashmë e kemi përmendur.
Poshtë tyre në 2/3 e ekranit gjendet paraqitja e hartës, e poshtë kësaj paraqitjeje janë opsionet për animacionin keyframe me opsionet për pozicionin e kamerës dhe caqet e kamerës që ju mundësojnë vendosjen e detajuar të kuadrit. Nga ana e djathtë e këtyre opsioneve gjendet linja kohore ku realizoni animacionin dhe e kontrolloni rrjedhën e tij.
Duke supozuar se shumica prej jush do të filloni "lojën" me këtë vegël përmes përdorimit të shablloneve, hapi i radhës do të ishte të klikoni në butonin Render. Pas klikimit, do t'ju hapet një dritare për emërtimin e vetë fajlit dhe opsionet për definimin e eksportit nga i cili frame fillestar te cili frame përfundimtar, dimensionet e vendosura në 1080px, por mund të jenë më shumë, si dhe definimin e pozicionit të logos së domosdoshme të Google-it me katër opsione të mundshme. Pasi të keni klikuar butonin start, në kompjuterin tuaj do të shkarkohet një zip file me emrin e projektit të cilin do ta hapni dhe përgatisni për ta importuar në Adobe After Effects apo ta përcillni te personi i cili punon me këtë program në redaksinë tuaj. Mos u dekurajoni nga fakti se do t'ju duhet të punoni me After Effects. Pas marrjes së këtyre fajlëve, importi i tyre në After Effects është relativisht i lehtë, por megjithatë kërkon disa njohuri.
Importi në After Effects dhe përgatitja përfundimtare
Pasi t'i keni shkarkuar të gjithë fajlët e nevojshëm, hapni Adobe After Effects dhe klikoni në menunë File për të shkuar deri te opsioni Scripts dhe klikoni në opsionin shtesë Run Script File. Do t'ju hapet një dritare për të ardhur te fajli i hapur ku ndodhet projekti juaj dhe të inicioni një fajl JavaScript që do të quhet njëjtë si projekti. Me përzgjedhjen dhe nisjen e këtij fajli do t'i merrni të gjitha fotografitë dhe animacionet keyframe, dhe do t'ju duhet të paketoni vetëm edhe fajlin në format të videos të përshtatshëm për web si dhe codec të llojit H264. Këtë do ta bëni duke shkuar në menunë Composition dhe aty ta përzgjedhni opsionin Add to Render Queue, dhe t'i përcaktoni opsionet shtesë. Para kësaj mund të shtoni opsione grafike të tekstit apo muzikën të cilën mund ta shtoni edhe në fazën e postproduksionit. Ajo që Google Earth Studio ofron në versionin e vet më të ri është animacioni i paraqitjes së Hënës dhe të Marsit.
Si mund ta shfrytëzojnë gazetarët?
Megjithëse Google Earth Studio nuk është gjithmonë i nevojshëm në punën tuaj, sidomos jo gjatë vizualizimit të të dhënave, kjo vegël mund të jetë shumë e dobishme për punën e gazetarëve. Edhe pse Adobe After Effects mbase për disa e bën situatën më të komplikuar, me një vegël të këtillë mund të vizatoni zona të caktuara interesi dhe publikut të interesuar përmes hartës së animuar t'ia përafroni storien e cila i intereson. Me një interface të thjeshtë, vegla ia bën të mundur çdo gazetari që këtë ta realizojë në mënyrë relativisht të lehtë. Gazetarët mund t'i përdorin këto animacione kur raportojnë për ndonjë lokacion, apo për të treguar më bukur se ku gjenden momentalisht. Një vegël e këtillë ua lehtëson punën atyre redaksive të cilat nuk kanë dron apo para për të marrë me qira një dron. Vox Video përdor Google Earth Studio për të shtuar 3D harta në video reportazhet e tyre.
A ka ndonjë alternativë në kodin e lirë dhe të hapur?
Duke krahasuar disa vegla të hapura dhe me qasje të lirë mund të shihet se nuk ekziston asnjë vegël me mundësi të njëjta dhe me lehtësi të tillë përdorimi. Vegla më e përafërt me Google Earth Studio është react-globe me të cilën mund të bëhen gjëra të ngjashme, por duhet të keni njohuri të React dhe ThreeJS, gjegjësisht njohuri të gjuhës Javascript dhe prandaj ato nuk janë të përshtatshme për shpejtësinë e prodhimit të përmbajtjes që puna e gazetarit kërkon – qoftë në web apo në televizion.
Veglat tjera përdorin mundësitë e veglës së Google-it dhe janë interesante si eksperiment, por në thelb nuk janë alternativë e kësaj vegle – së paku jo në aspektin e tempos së shpejtë të punës së gazetarit.
Shikoni në këtë video procesin e krijimit të animacionit që ne e kemi realizuar për 10 minuta.