

Burimi i informatave është elementi kryesor kur shtjellojmë një temë të caktuar. Çdo informatë duhet të mbështetet me prova dhe burime faktike. Burime të drejtpërdrejta mund të jenë qytetarët, organizatat joqeveritare, institucionet, shkencëtarët, si dhe kolegët nga media të caktuara, pastaj deklaratat e personave që janë ekspertë të një teme të caktuar, ose i njohin drejtpërdrejt disa ngjarje.
Qytetarët si burim i informatave
Nga qytetarët shpesh nisin storiet më të mira që i bëjnë gazetarët. Ata janë një nga burimet më të rëndësishme të informata sepse pa qytetarë zor të ketë storie. Qytetarët na ofrojnë informata që u interesojnë atyre personalisht që gazetarët të mund të verfikojnë dhe të shkruajnë artikull, natyrisht, nga disa burime të besueshme me fakte konkrete.
Ajo që duhet ta kemi parasysh kur flasim për këtë burim të informatave është se informata rëndom është e ekzagjeruar dhe e paplotë, por është pikënisje e mirë për vazhdimin e stories.
Institucionet si burim i informatave
Institucionet mund të jenë burim shumë i mirë informacioni kur bëjmë storie që janë të interesit publik për të gjithë. Ligji për Lirinë e Qasjes në Informata të cilin më së shumti e shfrytëzojnë gazetarët hulumtues bën që institucionet të na japin informatat që ne kërkojmë.
Por, përveç Ligjit, institucionet dhe zëdhënësit e tyre çdo informacionin të rëndësishëm e ndajnë me gazetarët, dhe kështu i sigurojmë ato dhe e zgjerojmë storien me burime të tjera.
Edhe këtu duhet të kontrollojmë besueshmërinë e institucionit dhe të shohim se sa vlen si burim.
Organizatat joqeveritare
Personat me aftësi të kufizuara, grupet e margjinalizuara, të drejtat e njeriut globalisht, kush do të na japë informata më të mira për këto tema? Sigurisht, OJQ-të në këtë segment janë burimi më i mirë i informatave sepse ata kanë dokumente të besueshme, statistika dhe fakte në lidhje me temat e caktuara.
Ato janë burimi më i besueshëm, së bashku me ekspertët dhe njerëzit që merren drejtpërdrejt me këtë fushë.
Shkencëtarët dhe shkencëtaret
Kur bëhet fjalë për tema shkencore, shkencëtarët janë burimi më i mirë i informatave që mund të kemi. Këtu vijmë deri te thelbi. Shkencëtari duhet të jetë i besueshëm që ta përdorim si burim informacioni.
Kolegët e tjerë
Atë që ne si gazetarë ndonjëherë nuk kemi, kanë kolegët tanë. Për të siguruar disa informata që ata i kanë, para së gjithash duhet ta meritojmë besimin e kolegëve që ata t'i ndajnë informatat me ne.
Sigurisht, nga ne varet më vonë se sa dhe në ç'mënyrë do të përdorim informacionin e marrë dhe cilat burime do t'i përdorim bashkë me kolegët tanë për të plotësuar storien.
Pesë burimet e numëruara të informatave janë burimet që ne i hasim çdo ditë në punën e gazetarit. Ato janë gjithandej dhe çfarëdo storie që ne bëjmë, atë duhet ta fillojmë me një burim. Më e rëndësishmja kur bën një storie është të sigurohesh se burimi është i kredibil dhe mund t'i besohet.