

Vitin që lamë pas, kolegët tanë nga projekti SIMEE në Tiranë mbajtën një trajnim të gazetarisë mobile për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të mediave, nga produksioni e deri te publikimi përmes paketës StoryMapJS.
StoryMapJS është vegël falas që mund t'ju ndihmojë të tregoni dhe konsolidoni storiet tuaja në internet përmes lokacioneve gjeografike që bëjnë bashkë një gamë të ngjarjeve ose temave të ndërlidhura. Megjithëse është vegël relativisht e re, ajo tashmë ka hyrë në fazën e saj të qëndrueshme dhe rregullisht mirëmbahet dhe rifreskohet, dhe më e rëndësishmja është se është shumë e lehtë për t’u përdorur dhe nuk kërkon njohuri të gjuhës Javascript që fshihet pas shkurtesës JS në vetë emrin e paketës.
Ideja fillestare në kuadër të këtij trajnimi ishte të zhvillohen storie me rëndësi gjeografike brenda dhe rreth Tiranës, në mënyrë që të mund të përdoret harta. Kërkesë shtesë për zhvillimin e stories ishte konteksti më i gjerë historik për të cilin u zgjodh e kaluara komuniste e Shqipërisë. Duke përdorur tre vegla shtesë: KineMaster, Lumafusion dhe DJI Osmo Mobile pjesëmarrësit prodhuan 20 storie që përfundimisht u kombinuan në një hartë me një storie shtesë të cilin e realizoi udhëheqësja për të ofruar një prezantim më të gjerë të stories.
Në këtë artikull do të përpiqemi t'ju tregojmë procesin nëpër të cilin kanë kaluar pjesëmarrësit dhe si arritën deri në rezultatin përfundimtar.
SI T'I BASHKONI STORIET TUAJA NË HARTË
Para së gjithash, pasi t'i keni xhiruar storiet duke përdorur telefonat tuaj celularë dhe pasi t'i keni redaktuar ato, duhet të gjeni një vend në internet për videon tuaj. Zakonisht ky vend është YouTube, por shumë preferojnë Vimeo ose ndonjë shërbim të ngjashëm.
Pasi t'i keni ngarkuar të gjitha storiet tuaja në një nga serviset e lartpërmendura, mund t'i qaseni bashkimit përmes hartës duke përdorur StoryMap JS. Për ta shfrytëzuar këtë servis, duhet të keni llogarinë në Google, e nëse nuk e keni do të duhet ta krijoni.
Pas regjistrimit, do të hapet dritarja e thjeshtë për redaktimin e hartës suaj dhe përshkrim të mëtejmë të storieve që lexuesit tuaj të mësojnë më shumë para se të fillojnë udhëtimin që keni krijuar për ta. Për ta realizuar këtë – ashtu si me çdo produkt tjetër gazetaresk – do të na duhet një titull të mirë. Për qëllimet e punëtorisë, kolegët nga projekti SIMEE zgjodhën titullin Tirana Walkabout.
Në vazhdim do të hapet interface-i i përdoruesit me fushat e ofruara për të mbuluar faqen kryesore me elementët e mëposhtëm:
- Titulli
- Përshkrimi
- Mundësia e lidhjes me ndonjë përmbajtje multimediale ose ngarkimi i ndonjë fotografie nga kompjuteri juaj me përshkrimin gjegjës të autorësisë dhe titullit.
Këtu vlen të përmendet se formulari përmban rregullimin HTML, e kjo ofron mundësi shtesë për përpunimin vizual të tekstit. Gjithashtu ofrohen edhe opsionet për formësimin vizual të sfondit, duke klikuar në butonin Background Options që gjendet në këndin e djathtë poshtë.
Pasi ta keni shtuar slajdin e titullit dhe pasi ta keni rregulluar përmes Background options duke klikuar në opsionin Add Slide ju hapet një dritare e re ku e vendosni storien tuaj dhe e lidhni me një lokacion të caktuar gjeografik. Të gjitha opsionet e tjera janë të ngjashme si në dritaren e parë. Pasi ta keni kryer me slajdin e parë, shtoni slajdin vijues derisa ta kompletoni storien tuaj. Në çdo moment, duke klikuar opsionin Preview mund të shihni se si do të duket prezantimi juaj dhe ta rregulloni nëse nevojitet diçka e tillë.
Vlen të përmendet se StoryMap JS ofron edhe mundësi të tjera të rregullimit përmes butonit Options që gjendet në këndin e majtë lart. Këtu mund t'i përcaktoni aspektet në vijim:
- Madhësinë e hartës për ta përshtatur sa më mirë me uebfaqen tuaj.
- Gjuhën në të cilën shkruhet përmbajtja. Tani për tani, nga gjuhët tona ofrohet vetëm gjuha serbe në versionin latin, por nuk ka asnjë arsye pse qirilica të mos funksiononte edhe pa përcaktuar gjuhën.
- Gjithashtu mund ta rregulloni tutje dukjen e prezentimit tuaj me stilin e shkronjave (fonts).
- Mund të vendosni që harta të trajtohet si fotografi, e jo si hartë gjeografike, e kjo është me rëndësi nëse doni që prezentimi juaj të lexohet më shpejt me më pak opsione.
- Opsioni i radhës është definimi i të ashq. "thirrje për aksion", me të cilën i fton vizitorët e faqes suaj të fillojnë me hulumtimin e përmbajtjes së përgatitur.
- Opsioni i fundit ju mundëson të zgjidhni nga disa skica të hartave gjeografike, e kjo ofron mundësi shtesë për të personalizuar prezantimin e përmbajtjes.
Duke klikuar në opsionin Sharing do t'ju jepet një kod që mund ta shpërndani në rrjetet sociale ose një kod opsional iframe nëse doni ta vendosni prezantimin në faqen tuaj të internetit ose në ndonjë artikull. Pjesëmarrësit e trajnimit SIMEE, duke punuar me videostoriet e tyre, në fund kanë treguar storien e tyre për Tiranën dhe historinë e saj në një mënyrë interesante që mund ta përcillni këtu në vijim. Përveç këtij shembulli, këtu mund të shihni se si disa media të tjera e kanë përdorur këtë vegël për hulumtime në gazetari.